Sekuestrohen armë, silenciator dhe kokainë / Njësia Operacionale arreston në Kryebushat 42-vjeçarin

Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve narkotike.
DVP Shkodër njofton “Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, rreth veprimtarive kriminale të një shtetasi, banues në fshatin Kryebushat, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, në fshatin Kryebushat, shtetasi Gjovalin Mani 42 vjeç.
Nga kontrolli në automjet, iu gjet një sasi lënde narkotike Kokainë, e ndarë në doza, ndërsa nga kontrolli në banesë iu gjetën 110 kapsolla detonatore, 2 armë zjarri pistoleta, 1 silenciator dhe municion luftarak.
Këto u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.