Seanca parlamentare, opozita akuza për përmbytjet: Qytetarët nën ujë, s’ka dëmshpërblime

Seanca parlamentare, op

Seanca e sotme plenare e Kuvendit, e drejtuar nga Kryetari Niko Peleshi, nisi me miratimin e procesverbaleve, por u dominua shpejt nga akuzat e ashpra të opozitës lidhur me situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet e javëve të fundit.

Në pjesën e dedikuar për problemet e zgjedhësve (pikë e tretë e rendit të ditës), deputetët e Partisë Demokratike, Bujar Leskaj dhe Agron Gjekmarkaj, sollën në vëmendje dëmet në Vlorë dhe në veri të vendit, duke e cilësuar situatën si “dëshmi të dështimit dhe korrupsionit qeveritar.”

Leskaj: Vlora po kthehet në Venecia nga abuzimet, jo nga bukuria

Deputeti Bujar Leskaj u ndal specifikisht te situata në qytetin bregdetar të Vlorës. Ai akuzoi qeverinë dhe bashkinë për abuzime me fondet e dedikuara për sistemin kullues.

“Vlora është pasqyra e asaj çfarë ndodh me të gjitha qytetet e Shqipërisë. Investimet me miliona euro në fakt janë abuzime, të kryera pa standard e pa studim teknik,” deklaroi Leskaj.

Ai denoncoi një tender specifik të mirëmbajtjes, duke thënë: “Në 25 gusht u dhanë 38 milionë lekë për mirëmbajtjen e hidrovorit, por qyteti po mbrohet nga 2 pompa të vogla. Ndoshta duan ta bëjnë Vlorën si Venecia.”

Leskaj theksoi se qytetarët nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim real, por vetëm sorollatje nga bashkia.

Gjekmarkaj: Shteti në gjunjë, tallje me pako ushqimore

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, foli për situatën në Lezhë, Mirditë dhe Kurbin. Ai e cilësoi përmbytjen jo si fatkeqësi natyrore, por si “fatkeqësi të stimuluar” nga dobësia e shtetit.

“Jeni përballur jo vetëm me fuqinë e natyrës, por dhe me dobësinë e një shteti në gjunjë. Ajo që ndodhi është pasqyrë e qartë e korrupsionit,” u shpreh Gjekmarkaj.

Ai denoncoi mosfunksionimin e hidrovorit të Tales për mungesë energjie dhe kritikoi ashpër mënyrën se si po trajtohen banorët e prekur.

“Në vend të një reagimi shtetëror, qytetarët morën disa pako ushqimore. Ky është trajtim minimal e fyes për njerëz që humbasin gjithçka. Nuk ka dëmshpërblim e as vlerësim dëmesh,” përfundoi Gjekmarkaj.