Seanca në Kushtetuese për zv.kryeministren, Kuvendi: Pezullimi është de facto shkarkim. Vendimi i GJKKO, cenon ndarjen e pushteteve

GJKKO, cen

Gjykata Kushtetuese po zhvillon seancën publike për shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila ka vendosur pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë seancës, përfaqësuesja e Kuvendit mbajti qëndrimin se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e funksionit të tij, as të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. E njëjta mbrojtje, sipas saj, zbatohet edhe për anëtarët e Këshillit të Ministrave, të cilët nuk mund të ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit.

Përfaqësuesja e Kuvendit argumentoi se mbrojtja e deputetit është e përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, përfshirë edhe Kodin e Procedurës Penale.

“Kuvendi vlerëson se vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga ushtrimi i detyrës të zëvendëskryeministres është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit sipas ligjit.

Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, si dhe nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Po ashtu, anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit, siç parashikohet në ligj.

Në Kushtetutë ekziston një dispozitë themelore që garanton funksionimin e pavarur të pushtetit ekzekutiv dhe që anëtarët e Këshillit të Ministrave të gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo barazi nuk është një privilegj personal për individët, por një garanci institucionale që synon të ruajë ekuilibrin kushtetues dhe pavarësinë e pushteteve.

Deputeti nuk mund të arrestohet pa miratimin paraprak të Kuvendit, me qëllim garantimin e pavarësisë funksionale dhe ushtrimin e mandatit pa frikën e ndërhyrjeve të padrejta nga pushteti gjyqësor apo ekzekutiv. Kjo garanci nuk do të ishte e mjaftueshme nëse, edhe pse deputeti nuk arrestohet pa miratimin e Kuvendit, ai mund të pezullohej nga detyra me vendim gjykate. Pezullimi e pengon deputetin të ushtrojë funksionet e detyrës dhe mandatin e tij”, tha përfaqësuesja e Kuvendit.

Sipas Kuvendit, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në një dispozitë kushtetuese që i jep këtë kompetencë, krijon një precedent ku pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejt në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv.

“Për këtë arsye, mbrojtja e deputetit është përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, duke zbatuar garancitë kushtetuese të parashikuara edhe nga Kodi i Procedurës Penale. Logjika juridike është e qartë: deputeti përfaqëson vullnetin e popullit dhe ushtron një mandat të dhënë nga zgjedhësit. Pezullimi i tij nga detyra do të përbënte një ndërhyrje në këtë mandat dhe do të cenonte pavarësinë e pushtetit legjislativ.

E njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Edhe pse ministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ai merr legjitimitetin nga Kuvendi dhe ka natyrë të ngjashme me personat e zgjedhur. Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit dhe mbrojtje të barabartë institucionale mes pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe ministrat që nuk janë deputetë gëzojnë imunitetin e deputetit.

Kjo mbrojtje përfshin të gjitha garancitë kushtetuese dhe procedurale që sistemi juridik i njeh deputetit. Vendimi i GJKKO-së për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në ndonjë dispozitë kushtetuese që ia jep këtë kompetencë, krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe kompetencat e tij”, tha ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja e Kuvendit theksoi se vendimi i pezullimit përbën de facto një shkarkim nga detyra, pasi ndalon pjesëmarrjen e funksionarit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ushtrimin e kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale.  

 “Në vlerësimin e Kuvendit, ky vendim cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe, nga kjo perspektivë, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtat kushtetuese të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i pezullimit është de fakto një shkarkim dhe kjo nënkupton faktin se përmes pezullimit ndalohet pjesëmarrja e funksionarit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndalimi i kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale. Kur të gjitha këto veprime ndalohen dhe në asnjë mundësi për të ushtruar substancën e këtyre funksioneve është identike me atë të shkrimit edhe pse formalisht quhet pezullim”, përfundoi ajo.