Lajme

Sanksionet ndaj Rusisë, BE dakordësohet për paketën e gjashtëmbëdhjetë

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian ranë dakord të mërkurën për vendosjen e një raundi të ri sanksionesh ndaj Rusisë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh një ditë më parë se Europa do të thirrej në tryezën e bisedimeve për të diskutuar reduktimin apo edhe heqjen e sanksioneve ndaj Kremlinit.

Ka disa palë të tjera që kanë vendosur sanksione. BE-së do t’i duhet që në një pikë të ulet në tryezë, sepse edhe ata kanë vendosur sanksione,” u shpreh Rubio pas takimit me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, në Riad të Arabisë Saudite.

Ndërsa theksoi se të gjithë palët duhet të bënin lëshime, kur u pyet për mospërfshirjen e Europës në procesin e negociatave, Rubio u përgjigj se askush nuk po anashkalohej.

Megjithatë blloku europian ka vendosur të vijojë politikën e tij ndëshkuese, të paktën për momentin.

Dakordësia e ambasadorëve për sanksione të reja u arrit para trevjetorit të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, kur kolegji i komisionerëve do të zhvillojë një vizitë në Kiev.

Paketa e 16-të e sanksioneve të reja përfshin ndalimin e importeve të aluminit rus, një ide e diskutuar në të shkuarën, por që nuk pati qenë miratuar pasi disa shtete anëtare shqetësoheshin për ndikimin ekonomik të kësaj lëvizjeje.

Alumini i papërpunuar rus përbën 6 për qind importeve të aluminit të BE-së, një shifër kjo shumë më e ulët se në të shkuarën, pasi shumë prodhues europianë kanë shkëputur marrëdhëniet me furnizuesit rusë.

Sanksionet e reja gjithashtu fusin në listën e zezë anijet naftëmbajtëse që i përkasin asaj që quhet flota ruse në hije, të cilën Kremlini e përdor për të shmangur kufizimet perëndimore mbi tregtinë e naftës dhe që është një burim kryesor i financimit të luftës ndaj Ukrainës.

Flota në fjalë raportohet se përbëhet nga qindra anije të vjetra të pasiguruara, që dyshohen për praktika mashtruese, përfshi transmetimin e të dhënave të falsifikuara, fikjen e pajisjeve të gjurmimit të tyre apo edhe transferimin e naftës në anije të tjera në mënyrë që të fshihet origjina e këtij produkti.

Nën sanksionet për të cilat u ra dakord këtë të mërkurë, dhe që do të miratohen të hënën e ardhshme në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së, 13 banka ruse përjashtohen nga sistemi elektronik i pagesave Swift, ndërsa pezullohen edhe licensat e transmetimit për tetë medie ruse.

Blerti Delija

Recent Posts

Atletikë, Franko Burraj vendos rekord të ri kombëtar

Franko Burraj vendos rekordin e ri Kombëtar në garën e 400m në atletikë. Sportisti shkodran…

10 hours ago

Al Hilal rrit ofertën, gati 50 milionë për të rrëmbyer Inzaghin nga Interi

Sigurisht, është e qartë se e gjithë koka është në Mynih. Ka mbetur vetëm një…

11 hours ago

Luhatjet e temperaturave dhe reshjet – Dëmë në pemtari dhe vreshtari, ankohen fermerët

Kjo është Verenila Kolndrekaj nga fshati Stajkë i bashkisë Vau Dejës.  Ajo tregon se prej…

11 hours ago

Promovohen katër romane – Hysa: Mesazhi i dashurisë mbizotëron në krijimet e mija

Ambra Hysa, një shkrimtare e re, zgjodhi që, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve në…

11 hours ago

“Moto Fest Shkodra 2025” – Tre ditë festive dhe me adrenalinë, gërshetuar me muzikë

“Moto Fest Shkodra 2025” është eventi që ka ndezuar atmosferën festive dhe të argëtimit këtë…

11 hours ago

Festivali i Letërsisë “ZaNa” ndalet në Shkodër – Zëra poetikë nga rajoni bashkohen përmes artit

Pas Mitrovicës, edicioni i radhës i festivalit letrar  ZaNa vijoi rrugëtimin në Shkodër. Në Bibliotekën…

12 hours ago