Samiti Ukrainë–Europa Juglinore, Vuçiç refuzon të firmosë deklaratën e përbashkët për sanksione ndaj Moskës

Ndërsa zhvilloi një vizitë të papritur në Ukrainë, ku mori pjesë në samitin Ukrainë–Europë Juglindore për fuqizimin e mbështetjes europiane për luftën e Kievit kundër agresionit rus, presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk pranoi të nënshkruante një deklaratë të përbashkët të udhëheqësve për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës.
Për mediet serbe, Vuçiç u shpreh se nënshkrimi i deklaratës antiruse, siç e cilësoi ai, nuk ishte diçka e thjeshtë për Serbinë dhe kjo ishte arsyeja se përse abstenoi. Më tutje, Vuçiç tha se pavarësisht se mori pjesë në samitin për Ukrainën, ai nuk e tradhtoi Rusinë.
“Isha i vetmi që nuk pranova Deklaratën, ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë në samit që janë gati të pranojnë gjithçka që iu udhëzohet kundër Rusisë,” nënvizoi presidenti serb.
Vizita e Vuçiç në Ukrainë, e para që zhvilloi në atë vend që kur mori detyrën e presidentit të Serbisë rreth një dekadë më parë, u zhvillua pasi shërbimi rus i inteligjencës së jashtme akuzoi kompani serbe të prodhimit të armëve se po përpiqeshin t’i ngulnin një thikë pas shpine Rusisë, duke i shitur municione Kievit.
Serbia as ka pranuar dhe as i ka mohuar raportimet se po dërgon municione në Ukrainë, por i ka premtuar Rusisë se do të nisë një hetim zyrtar për këtë çështje.
Serbia, vend që aspiron për integrim në Bashkimin Europian, ka marrëdhënie të vjetra historike me Rusinë, e cila është edhe furnizuesi më i madh me gaz natyror i vendit ballkanik. Beogradi ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por deri tani ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.