Samiti i NATO-s vijon punimet, thirrje për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Rama ndan foto nga darka mbretërore

Rama ndan foto

Samiti i NATO-s në Hagë zhvillon këtë të mërkurë (25 qershor) ditën e dytë të punimeve, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve anëtare dhe partnere të Aleancës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Holandë ku ka ndarë edhe një foto familjare nga darka e mikpritjes së organizuar nga Familja Mbretërore holandeze.

Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima shtruan një darkë jozyrtare për liderët e NATO-s në Pallatin Mbretëror “Huis ten Bosch”. Mes të pranishmëve ishin presidenti amerikan Donald Trump, si dhe krerët e shteteve dhe qeverive të Turqisë, Australisë, Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut dhe Ukrainës. Në darkë morën pjesë gjithashtu presidentët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

250624i

Në ditën e parë të samitit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje aleatëve, partnerëve dhe industrisë të bashkëpunojnë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Aleancës.

“Nuk ka mbrojtje pa një industri të fortë mbrojtëse dhe nuk ka siguri evropiane pa një lidhje të fortë transatlantike”, tha Rutte.

Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi planin e BE-së “Gatishmëria 2030”, i cili synon të mobilizojë deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen dhe të nxisë bashkëpunimin transatlantik përmes eliminimit të barrierave në industrinë e mbrojtjes.

Pse është e nevojshme rritja e shpenzimeve

Udhëheqësit e NATO-s pritet të miratojnë premtim për të shpenzuar 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto për sigurinë e tyre dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e jashtme. Megjithatë, Spanja tha se ka arritur një marrëveshje me NATO-n për t’u përjashtuar nga objektivi prej 5%. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Albares, tha se Spanja “mund të arrijë aftësitë që janë përcaktuar nga organizata me 2.1%”.

Vendet e tjera anëtare kanë rënë dakord për të përmbushur synimin, ndërsa afati kohor për të arritur këtë varet nga vetë shtetet, ndërsa mendohet që brenda 2035 të jetë arritur objektivi.

“NATO është absolutisht e bindur se Spanja do të duhet të shpenzojë 3.5%. Çdo vend tani do të raportojë rregullisht për atë që po bën në lidhje me shpenzimet dhe arritjen e objektivave. Pra, do ta shohim. Dhe gjithsesi, do të ketë një rishikim në vitin 2029”, tha Rutte.

Sipas ekspertëve të NATO-s planet e aleancës për mbrojtjen e Evropës dhe Amerikës së Veriut kundër një sulmi rus kërkojnë investime prej të paktën 3%.

Objektivi prej 5% përbëhet nga dy pjesë. Aleatët do të bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 3.5% të PBB-së dhe 1.5% e mëtejshme do të përfshinte përmirësimin e rrugëve, urave, porteve dhe aeroporteve në mënyrë që ushtritë të mund të vendosen më mirë, duke vendosur masa për të luftuar sulmet kibernetike dhe hibride dhe duke përgatitur shoqëritë për konflikte të ardhshme.