Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Ju kam nderuar, vijojmë me reformat modernizuese. Heqja e masave për Kosovën, hap i madh

Rama ka vlerësuar si sh

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar si shumë inkurajues dhe të suksesshëm samitin e mbajtur nëj ditë më parë BE-Ballkani Perëndimor, duke theksuar përmbylljen me sukses të bisedimeve që çuan në heqjen e masave të Bashkimit Evropian për Kosovën. Rama theksoi se ky ishte një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit për Shqipërinë dhe Kosovën

Kryeministri Rama theksoi se një kontribut kyç në këtë rezultat ka dhënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka zhvilluar një punë të shkëlqyer dhe ka arritur të zhbllokojë fondet që ishin bllokuar nga Bashkimi Evropian për një periudhë të gjatë.

“Nga ana tjetër më vjen mirë të them që kemi përmbyllur mbrëmë një samit BE-Ballkani Perëndimor, inkurajues, i suksesshëm për Shqipërinë dhe Kosovën.

Për hir të së vërtetës, Presidentja e Kosovës ka shkëlqyer, me fjalë bindëse, por dhe si rezultat i një pune këmbëngulëse dhe një koordinimi të mirë që kemi bërë javët e fundit. Ja ka dalë të zhbllokojë fondet e bllokuara prej disa kohësh nga ana e BE”, tha Rama.

Ai shtoi se qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë i qartë dhe pa dorashka, duke shprehur mendimet e tij hapur dhe duke vepruar në përputhje me detyrat që BE kërkon nga Shqipëria.

Rama theksoi gjithashtu se qëndrimi i Shqipërisë dhe Kosovës ka forcuar pozitat e tyre në tryezat e negociatave, duke shtuar se hapja e të gjitha kapitujve të negociatave është një hap i rëndësishëm për përmbylljen e procesit të integrimit në BE. Ai kërkoi që Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian të qëndrojnë të angazhuar për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në vitin 2027, një afat të cilin Rama e vlerësoi si të arritshëm, por që kërkon angazhim të plotë nga të dyja palët.

Në lidhje me reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri garantoi se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet e saj për të realizuar reforma të thella dhe për të përballuar sfidat që BE ka identifikuar si prioritare.

“Jemi në kushte si nuk kemi qenë ndonjëherë, të respektuar e vlerësuar maksimalisht dhe të mirëpritur në tempullin e Evropës politike, në Bruksel. Ku qëndrimi im ka qenë ai që dini, dhe mënyra si e kam mbajtur qëndrimi ka qenë ajo që dini, troç, drejt, pa dorashka. Siç ua kam thënë miqve e kolegëve të BE, unë them atë që mendoj dhe bëj atë që thonë ata, në sensin që ne detyrat e shtëpisë I bëjmë në mënyrë korrekte për të qene pjesë e BE.

Nga ana tjetër ne fjalën tonë e themi hapur, si të barabarta mes të barabartësh dhe kjo na ka rritur vlerën në këto tryeza.

Komisioni dhe BE ti qëndrojë marrëveshjes për të mbyllur negociatat Brenda 2027-ës sepse këta I luajnë ndonjëherë marrëveshjeve.

Ripërsërita tezën se politikisht anëtarësimi ynë duhet përshpejtuar.

Garantova se do vijojmë reforma modernizuese, përpjekjet në luftën kundër atyre problemeve që këta kanë shumë dëshirë dhe zakon ti përmbledhin te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më vjen mirë t’ju them edhe njëherë tjetër pa modesti, ju kam nderuar”, përfundoi Rama.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri shprehu krenarinë për arritjet e Shqipërisë në këtë samit dhe tha se ishte nder i tij që ka përfaqësuar vendin me një qëndrim të fortë dhe të qartë në dritën e kërkesave të BE-së.