Salianji takim me demokratët në Lezhë: Nuk do të krijoj forcë tjetër politike, largohet nga partia ai që humb zgjedhjet, jo ai që mendon ndryshe

salianji

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka mbledhur ditën e sotme qindra mbështetës në Pallatin e Kulturës në Lezhë. Salianji, gjatë fjalës së tij, e bëri të qartë pozicionin e tij: nuk do të ketë parti të re, por një betejë për të bërë PD-në fituese dhe për të larguar atë që ai e quajti “lidership humbës”.

Në përgjigje të deklaratave të kryetarit të PD, Sali Berisha, për “vetëpërjashtim”, Salianji përdori referencat statutore. Ai theksoi se statuti i një partie demokratike sanksionon largimin e atyre që humbin zgjedhjet, jo të atyre që mendojnë ndryshe.

“Kjo puna e përjashtimeve ka vetëm një element. Nuk përjashtohet njeri për mendim ndryshe. PD është demokratizuar edhe me statut. Dhe statuti nuk të largon për mendim ndryshe, por vetëm nëse humbet zgjedhjet. PD ka nevojë për ripërtëritje,” deklaroi Salianji.

Ai shtoi se askush nuk mund ta largojë atë apo mbështetësit e tij nga shtëpia e tyre politike, duke nënvizuar se ndryshimi mes tij dhe kupolës drejtuese qëndron te mentaliteti i fitores.

Ish-deputeti nuk i kurseu kritikat ndaj grupit drejtues të PD-së, të cilët i etiketoi me ironi si “5-çja fantastike”. Sipas tij, lidershipi aktual po e përdor pushtetin e brendshëm të opozitës për të luftuar demokratët kritikë, në vend që ta kanalizojë atë energji kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Ne kemi pyetjen e thjeshtë: Çfarë ju mungon 5-çes fantastike të lidershipit që ta bëjmë PD fituese? Çfarë pengu keni që nuk e lini PD-në që të shpërthejë me energjinë e demokratëve? Sepse lidershipi është në pushtetin e opozitës. Por në vend që të përdoret pushteti për të shkatërruar PD-në dhe demokratët, duhet përdorur pushteti për të larguar qeverinë e Ramës,” u shpreh ai para të pranishmëve.

Jo parti e re, por bashkim opozitar

Salianji theksoi se qëllimi i tij është bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë që “dergjen në opozitë” prej 13 vitesh.

“Unë nuk do të krijoj forcë tjetër politike, shtëpia ime është Partia Demokratike dhe ne atë do ta bëjmë fituese. Shqetësimi është se si lidershipi i PD nuk i dëgjon shqetësimet e demokratëve,” tha ai, duke shtuar se demokratët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë janë të lodhur nga humbjet dhe braktisja, por nuk e kanë humbur shpresën për ndryshim.