Salianji në Shkodër, sulmon qeverinë dhe lidershipin e PD-së
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim në qytetin e Shkodrës. Takimi u shfrytëzua nga Salianji për të lëshuar akuza si ndaj qeverisë Rama, ashtu edhe ndaj lidershipit aktual të partisë së tij.
Fjalimin ai e nisi me një reagim ndaj tentativës për të sabotuar takimin e tij. Salianji iu përgjigj pretendimeve të selisë blu se takimi ishte organizuar nga kryebashkiaku socialist Benet Beci, duke i quajtur drejtuesit e PD-së “rrogëtarë” dhe “kolltukofagë” që kanë frikë nga baza.
“Rrogëtarët e PD-së s’duan t’i shohin sallat plot, që mbushen jo vetëm prej meje, por prej pakënaqësisë që merita dhe rregullat e lojës merren dhe hidhen në kosh të plehrave. Mendojnë se na bëjnë presion duke thënë një mijë çudira. Presionin nuk e njoh, as nga njerëz më të rëndësishëm se këta. S’më ka bërë presion as Rama, duke u përballur në burgun ku më vendosi regjimi, dhe jo më shumë njerëz që përballë regjimit sillen si lepurusha dhe përballë demokratëve si tigra”, tha Salianji.
Akuzat për qeverinë
Salianji, në fjalën e tij, u ndal edhe te skandalet qeveritare, duke e cilësuar qeverinë Rama si të korruptuar “deri në palcë”.
“Kur një ministër dështon, në vende normale jep dorëheqjen. Këtu dorëheqja nuk njihet, sepse kjo është filozofia qeverisëse e Edi Ramës,” theksoi ai.
Mbështetja për SPAK
Salianji vlerësoi punën e SPAK-ut, duke e cilësuar si një shpresë për shoqërinë.
“SPAK ka treguar se drejtësia mund të arrijë majat e pushtetit dhe po dëshmon pavarësinë e tij,” deklaroi ai, duke bërë ndarjen se drejtësia merret me faktet penale, ndërsa opozita duhet të kërkojë përgjegjësinë politike.
“Drejtësia vonon, por nuk harron. SPAK ka treguar se drejtësia mund të prekë majat më të larta të pushtetit dhe po dëshmon me fakte pavarësinë e tij në disa nivele. SPAK duhet mbështetur dhe duhet thënë e vërteta: SPAK-u, si Strukturë e Posaçme kundër Korrupsionit, nuk mund të zbehet nga presionet politike.”, tha ai.
Në mbyllje, Salianji bëri thirrje për reflektim të thellë brenda PD-së, duke kërkuar largimin e figurave të konsumuara dhe mentaliteteve të vjetra.
“Ne do t’ia dalim ta ndryshojmë PD-në. Shqipëria nuk ndryshon me figura që i kanë zhgënjyer qytetarët vite më parë,” përfundoi ai.
