Sadushi: Drejtësia nën presion strukturor, mungesa e gjyqtarëve rrezikon funksionimin normal të sistemit
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka ngritur shqetësimin lidhur me mbingarkesën e jashtëzakonshme të gjyqtarëve dhe mungesën e theksuar të burimeve njerëzore.
Sipas Sadushit, çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht rreth 428 vendime në vit, një shifër që, sipas tij, nuk përfaqëson normalitet gjyqësor, por dëshmon një stërmundim të madh të trupës gjyqësore. Ai theksoi se, pavarësisht këtij presioni strukturor, Gjykata e Lartë ka arritur të ruajë funksionimin e saj.
Një problem serioz i sistemit të drejtësisë, sipas Sadushit, mbetet mungesa e gjyqtarëve. Aktualisht, në sistem janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, ndërkohë që struktura organizative parashikon nevojën për rreth 417 gjyqtarë, duke krijuar një mungesë prej 110 gjyqtarësh.
“Çdo gjyqtar mesatarisht ka dhënë rreth 428 vendime në vit. Këto shifra nuk dëshmojnë një normalitet gjyqësor, por janë dëshmi e një stërmundimi të madh dhe tregon se Gjykata e Lartë ka ruajtur funksionimin në presion strukturor. Mungesa gjyqtarëve është problemi kryesor i drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektiv në detyrë dhe ka një mungesë prej 110 gjyqtarësh nga sa parashikon struktura organizative. Situata bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh që deri në 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, tha Sadushi.
Situata pritet të bëhet edhe më shqetësuese, pasi deri në vitin 2028 parashikohet që nga Shkolla e Magjistraturës të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj. Në këtë kontekst, Sadushi theksoi se është e domosdoshme të merren masa konkrete dhe urgjente për korrigjimin e kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës, në mënyrë që sistemi të mos përballet me kolaps funksional.
“Sot duhet të merren masa konkrete të korrigjimit të kuotës së pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Në këtë atmosferë presioni strukturor, Gjykata e Lartë ka garantuar funksionimin e sistemit përmes përgjegjësisë dhe punës interviste përtej mungesës së kapaciteteve reale. Funksionimi i drejtësisë duhet të jetë i qëndrueshëm dhe nuk mund të mbështetet në sakrifica individuale, qytetari nuk pret justifikime por kërkon funksionim të drejtë dhe cilësor të sistemit gjyqësor”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se një pjesë e konsiderueshme e kohës gjyqësore po shpenzohet për ankime dhe rekurse që nuk plotësojnë standardet ligjore të gjykimit. Sipas tij, kjo situatë nuk i shërben as qytetarëve dhe as vetë sistemit të drejtësisë.
“Koha gjyqësore po shpenzohet për ankime që nuk plotësojnë standardin ligjor të gjykimit dhe kjo nuk i shërben as qytetarëve dhe as vetë drejtësisë. Rekurset e papranueshme u përkasin kryesisht organeve publike, ku gjatë 2025 rezultojë humbëse në rreth 55 % të çështjeve administrative dhe civile”, tha Sadushi.
Duke folur edhe si një nga hartuesit e reformës në drejtësi, Sadushi deklaroi se ajo po ecën, por mbetet kritik ndaj mënyrës se si ajo po zbatohet në praktikë.
“Unë jam ndër një hartuesit e reformës në drejtësi dhe mbroj arkitekturën e kësaj reforme që unë dhe kolegët e mi kemi hartuar, por jam kritik ndaj mënyrës se si po zbatohet ajo. Këtë e kam deklaruar në mënyrë të vazhdueshme. Sistemi nuk po funksionin siç duhet dhe arsye kryesore është se nuk ka një planifikim të qartë nga organet e qeverisjes se ku duhet të shkojmë. problematikën e mungesës së gjyqtarëve e kam ngritur vazhdimisht. Kjo reformë duhet të zbatohet me sa më pak dëme. Kjo reformë po funksionon, po ecën, pavarësisht kritikave dhe problematikave të vogla që mund të shfaq,” u shpreh ai.
