Rutte: Nëse Kina sulmon Tajvanin atëherë Rusia mund të godasë vendet evropiane
Në një intervistë të dhënë për gazetën gjermane Bild, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka shprehur shqetësimin lidhur me lidhjet globale mes Kinës dhe Rusisë.
Ai deklaroi se nëse Kina ndërmerr veprime ushtarake kundër Tajvanit, kjo mund ta shtyjë Rusinë të krijojë tensione ose sulme në Evropë për të shpërqendruar NATO-n.
Rutte e përshkroi situatën aktuale gjeopolitike si “kohën më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
Ai theksoi nevojën urgjente që vendet evropiane të rrisin investimet në mbrojtje, të shtojnë prodhimin ushtarak dhe të forcojnë kapacitetet e parandalimit të NATO-s.
Sipas Ruttes, në vitin 2025, Rusia ka arritur përparime shumë të vogla territoriale – nën 1% të territorit ukrainas krahasuar me fillimin e vitit.
Megjithatë, kostoja njerëzore për Rusinë ka qenë enorme: vlerësohet deri në 1.1 milion të vrarë ose të plagosur nga ana ruse.
Ai paralajmëroi se nëse Rusia arrin të kontrollojë të gjithë Ukrainën, pasojat për NATO-n do të ishin masive, duke detyruar aleancën të shpenzojë shumë më tepër për mbrojtje sesa është rënë dakord aktualisht.
Rutte nënvizoi se mbështetja për Ukrainën tani është më e mençur strategjikisht sesa të përballesh me një Rusi fitimtare më vonë.
Duke folur për të ardhmen, Rutte propozoi një plan me tre faza për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje, në mënyrë që Putini të kuptojë se çdo sulm i ri do të ishte shkatërrues për të: Forcat e armatosura ukrainase duhet të mbeten të aftë dha rezistente për të mbrojtur vendin. Një koalicion i të gatshmëve, i udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe të tjerëve), për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse.
Roli parandalues i SHBA-së, ku Rutte përmendi se Presidenti Donald Trump ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë (në një deklaratë të gushtit).
