Rutte: Kushdo që beson se Evropa mund të mbrohet pa SHBA-në, ëndërron
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi para Komisionerëve të Parlamentit Evropian për Sigurinë, Mbrojtjen dhe Punët e Jashtme se “kushdo që beson se Evropa mund të mbrohet pa SHBA-në është duke ëndërruar”.
Mesazhi i tij erdhi vetëm disa orë pas takimit me Presidentin amerikan Donald Trump, duke nënvizuar rëndësinë e aleancës transatlantike.
Rutte theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë po aq nevojë për NATO-n sa edhe Kanadaja dhe aleatët evropianë, duke e cilësuar aleancën si “shtyllë kyçe për stabilitetin dhe sigurinë e Atlantikut të Veriut dhe rajonit të Arktikut”.
Ai paralajmëroi se nëse Evropa do të përpiqej të merrte përsipër mbrojtjen e saj pa mbështetjen amerikane, shpenzimet e mbrojtjes do të duhej të rriteshin në mënyrë drastike, deri në 10% të PBB-së së vendeve evropiane.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Rutte përshëndeti paketën e kredisë prej 90 miliardë eurosh të miratuar nga BE-ja, duke e cilësuar si një hap që “do të bëjë një ndryshim të madh për sigurinë dhe prosperitetin e Ukrainës”.
Megjithatë, ai i bëri thirrje BE-së të tregojë fleksibilitet në përdorimin e fondeve, duke shmangur kufizimet e tepërta dhe duke u fokusuar tek nevojat urgjente të Kievit.
“Evropa po ndërton industrinë e saj të mbrojtjes, gjë që është jetike, por aktualisht nuk mund të ofrojë mjaftueshëm nga ajo që Ukraina ka nevojë për të mbrojtur veten sot,” tha Rutte, duke shtuar se pa fluksin e armëve nga SHBA, Ukraina nuk do të mund të mbante veten në luftë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kujtoi se mbështetja ushtarake për Ukrainën vazhdon, përfshirë edhe përmes iniciativës PURL, e cila synon të përmbushë nevojat e Kievit.
Ai theksoi se për vitin 2026, kërkesat ushtarake të Ukrainës nga donatorët ndërkombëtarë vlerësohen në mbi 60 miliardë dollarë, duke e cilësuar PURL si një mekanizëm kyç për sigurimin e kësaj mbështetjeje.
