Rusia përshkallëzon konfliktin me raketa Oreshnik, Kievi njofton SHBA dhe BE

raketa Oreshnik, Kievi

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibikha, e përshkroi të premten sulmin e rëndë rus me raketën hipersonike Oreshnik si një “kërcënim serioz për sigurinë evropiane”.

Ai bëri të ditur se Kievi po informon Shtetet e Bashkuara, partnerët evropianë dhe vendet e tjera përmes kanaleve diplomatike mbi detajet e këtij sulmi.

“Presidenti rus Vladimir Putin po vendos një raketë balistike me rreze të mesme veprimi IRBM pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s në përgjigje të iluzioneve të tij – ky është vërtet një kërcënim global. Dhe kërkon përgjigje globale”, tha Sibikha.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se po përdor motin si armë në vend që të punojë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit gati katërvjeçar.

Ai zbuloi gjithashtu se një nga ndërtesat e dëmtuara nga bombardimet e rënda ruse ishte ambasada e Katarit në Kiev.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmi me raketën Oreshnik ishte një përgjigje ndaj një përpjekjeje të supozuar për sulm me dron ukrainas në fund të dhjetorit ndaj një prej rezidencave të Presidentit Putin. Kievi e ka quajtur këtë pretendim një “gënjeshtër” dhe e ka cilësuar justifikimin rus si “absurd”.

Putin ka argumentuar se raketa Oreshnik, e cila ka aftësi bërthamore, është e pamundur të interceptohet pasi fluturon me më shumë se dhjetë herë shpejtësinë e zërit.

Ai ka shtuar se fuqia e saj shkatërruese është e krahasueshme me atë të një arme bërthamore, edhe kur mban një kokë luftarake konvencionale.

Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, katër persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore ruse.

Ndërkohë, sulmet me dronë kanë ndërprerë energjinë elektrike në rajonet Zaporizhia dhe Dnipropetrovsk, duke lënë mbi 600,000 familje pa energji në mes të një vale të ftohti me temperatura nën zero. Në disa zona të Kievit janë raportuar edhe probleme me furnizimin me ujë.

Moskë ka pohuar se objektivi i sulmeve ishte infrastruktura kritike e Ukrainës, veçanërisht sektori i energjisë, i cili sipas saj mbështet kompleksin ushtarako-industrial dhe prodhimin e dronëve.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se Rusia kreu një sulm të gjerë duke përdorur 36 raketa dhe 242 dronë kundër infrastrukturës kritike. Ky ishte sulmi i dytë i dokumentuar me raketën Oreshnik, pas përdorimit të saj për herë të parë në nëntor 2024 në qytetin e Dnipros.