Rusia mirëpret armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit
Rusia ka mirëpritur lajmin për një armëpushim midis aleatit të tij Iranit dhe Izraelit një ditë pasi ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
“Nëse është arritur një armëpushim, atëherë kjo mund dhe duhet të mirëpritet”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një prononcim për mediat.
“Kjo është ajo që Federata Ruse ka kërkuar që nga fillimi i këtij konflikti”, tha ai, duke shtuar se “shpresojmë që ky të jetë një armëpushim i qëndrueshëm”
Irani ka qenë një nga aleatët më të fortë të Rusisë gjatë luftës së saj në Ukrainë dhe Moska nxitoi të dënonte sulmet e SHBA-së kundër centraleve bërthamore iraniane të dielën.
Peskov tha se Araghchi e “vlerësoi shumë” “qëndrimin e qartë” të Rusisë mbi krizën e Lindjes së Mesme kur u takua me Putinin të hënën.
I pyetur në lidhje me raportimet e Reutersit se Araghchi i dorëzoi Putinit një letër nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei duke kërkuar mbështetje shtesë, Peskov mohoi se e kishte bërë këtë, por pranoi se ishin përcjellë mesazhe të caktuara.
“Nuk kishte asnjë dokument të shkruar. Është e vërtetë se kishte disa sinjale nga udhëheqja iraniane, por në përgjithësi, raportimi i Reuters nuk pasqyron realitetin”, tha Peskov.
Ai shtoi se Irani dhe Rusia nuk diskutuan përgjigjen e Teheranit ndaj sulmeve amerikane gjatë bisedimeve në Moskë.
