Rusia akuzon Ukrainën për sulm me dron ndaj rezidencës së Putinit, Zelensky: Gënjeshtra, po përgatisin terrenin për agresion të ri

Rusia akuzon Ukrainën

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se Ukraina ka kryer një sulm masiv me dron ndaj rezidencës shtetërore të Presidentit Vladimir Putin në rajonin e Novgorodit, në orët e para të 29 dhjetorit.

Sipas tij, një total prej 91 dronësh ukrainas u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ruse, pa raportime për viktima apo dëme në infrastrukturë.

Lavrov paralajmëroi se Rusia nuk do ta lërë pa përgjigje këtë sulm, duke shtuar se objektivat dhe koha e kundërpërgjigjes janë tashmë të vendosura.

Ai theksoi se pas këtij incidenti, pozicioni negociues i Moskës do të rishikohet, duke e cilësuar veprimin si “kalimin përfundimtar të regjimit të Kievit në një politikë terrorizmi shtetëror”.

Megjithatë, ai sqaroi se Moska nuk ka ndërmend të tërhiqet nga procesi i negociatave për paqen.

I menjëhershëm ka qenë përgënjeshtrimi, teksa Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, hodhi poshtë akuzat ruse, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra”.

Ai tha se Kremlini po përpiqet të minojë përparimin e arritur mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara në bisedimet e paqes.

Një tjetër gënjeshtër nga Federata Ruse. Ata nuk duan ta përfundojnë këtë luftë, por po përgatisin terrenin për sulme të reja, ndoshta në kryeqytet dhe ndërtesa qeveritare në Kiev,” u shpreh Zelensky.

Ai kujtoi se një situatë e ngjashme kishte ndodhur në shtator, kur një sulm me raketa goditi Kabinetin e Ministrave të Ukrainës.

Zelensky paralajmëroi se deklaratat e Moskës për “objektiva të përshtatshme” përbëjnë një kërcënim real dhe se Ukraina duhet të jetë vigjilente. Ai shtoi se partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe vendet evropiane, duhet të intensifikojnë përpjekjet për të ndalur agresionin rus.