Rudin Beka: Shkodra po shndërrohet në destinacion turistik model. Nisim ndërtimin e parkut më të madh në veri
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka, në një lidhje Skype në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deklaroi se ky sezon turistik ka nisur më mirë se kurrë më parë, duke e cilësuar këtë periudhë si më të mirën që qyteti ka përjetuar në dekadën e fundit.
Sipas tij, rritja e numrit të turistëve dhe larmia e ofertës e bëjnë Shkodrën një destinacion unik në Ballkan.
“Sezoni ka nisur më mirë se asnjëherë tjetër dhe Shkodra po kalon periudhën e saj më pozitive në gjithë dekadën e fundit, si në aspektin e infrastrukturës, energjisë dhe aktiviteteve.
Kemi rritje të ndjeshme të numrit të turistëve. Kemi një tipologji ndryshe të zhvillimit të turizmit, ka turistë nga vendet perëndimore që kanë si preferencë eksperiencat e natyrës, trashëgimisë kulturore, etj,. Shkodra është e bekuar nga natyra, njerëzit. Një nga qytetet me produktin më të diversifikuar në Ballkan.
Kemi alpe, prekim borë, kemi liqen dhe plazhin e Velipojës. Ka produkt të diversifikuar ku çdo turist gjen veten. Me marrjen e detyrës së re dy vite më parë, kryebashkiaku nisi vizionin ndryshe për zhvillimin e qytetit,” u shpreh Beka.
Ai theksoi se Velipoja është sot ndër plazhet më të mira në vend, jo vetëm për ujin dhe rërën, por edhe për cilësinë e lartë të jodit dhe plazhet publike me çmime të arsyeshme. Risia këtë vit është edhe menaxhimi i disa plazheve nga vetë Bashkia e Shkodrës, ku shezlongët ofrohen me tarifa të ulëta.
Për sa i përket infrastrukturës, Shkodra është shndërruar në një kantier ndërtimi: po punohet për riasfaltimin e rrugëve, ndriçimin publik, ndërtimin e moleve dhe krijimin e parkut më të madh në veri me sipërfaqe prej 18 hektarësh. Ndërkohë janë duke u zhvilluar projekte afatgjata edhe në zonat malore.
Beka theksoi gjithashtu se fokusi i Bashkisë mbetet zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm përgjatë gjithë vitit, me tri shtylla kryesore: turizmi natyror, ai ekologjik dhe kulturor.
“Velipoja sot është plazhi me numrin më të madh të plazheve publike në Shqipëri. Është ndër plazhet me cilësinë më të lartë të jodit.
Po flitet për ekuilibër cilësi-ofertë. Shkodra këtë e ka pikë të fortë. Tri janë shtyllat kryesore në fokusin tonë: turizmi i natyrës me bazë alpet; turizmi ekologjik me bazë ujërat; dhe turizmi trashëgimisë me bazë kulturën dhe historiku. Shkodra ka luajtur një rol të mirë te bizneset që kanë mbajtur çmime krejtësisht të pranueshme. Mundesh të kalosh një fundjavë normale në Shirokë. Një familje mund të harxhojë 40-50 euro për një drekë normale. Në plazhin e Velipojës shezlongët janë 500 lekë të rinj dhe për herë të parë mund të gjeni çmime shumë të mira nga plazhet e menaxhuara nga vetë bashkia e Shkodrës.
Nuk kemi turizëm masiv, por të qëndrueshëm përgjatë gjithë vitit. Shkodra ka një kantier ndërtimi në gjithë aspektet. në dy vite po krijohen projekte më të mëdha. Nga riasfaltim rrugësh te ndriçimi, molet, po riasfaltohet rruga Shirokë-Zogaj dhe kjo mund të shkaktojë disi trafik. Hyrja e qytetit po rregullohet. Po nisim ndërtimin e parkut më të madh në veri, 18 hektarë, në pjesën perëndimore të qytetit. 86 km infrastrukturë për biçikletat, nga Malësia e Madhe në Velipojë,” shtoi ai.
Në lidhje me menaxhimin e mjedisit, Beka bëri të ditur se dezinsektimet ndaj mushkonjave janë kryer në kohë nga Ministria e Shëndetësisë dhe kanalizimet në zonën e plazhit janë mirëfunksionale, falë investimeve të mëparshme dhe atyre në vijim.
