Ruajtja e trashëgimisë historike / Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës përqendrohet në kërkimin shkencor në 2026-ën

xherardo nikjari

Në vitin 2026, përveç misionit të vazhdueshëm për ruajtjen dhe përcjelljen e traditës, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër do të ketë një fokus të veçantë edhe në kërkimin shkencor, i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me institucione të specializuara.

Lajmin e bën të ditur historiani i këtij muzeu, Xherardo Nikjari, sipas të cilit ky angazhim do të përfshijë mbledhjen, studimin dhe sistemimin e të dhënave, si dhe dokumentimin historik të praktikave dhe vlerave që burojnë nga trashëgimia jonë kulturore.

Fokusi kryesor dhe qëllimi themelor i këtij muzeu, por edhe i çdo muzeu tjetër, është lidhja e brezit të ri me trashëgiminë historike.

Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës është një institucion memorial dhe kulturor që dokumenton dhe pasqyron krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, me theks të veçantë në përndjekjet, burgosjet dhe vuajtjet e qytetarëve të Shkodrës dhe më gjerë.

 Përmes dëshmive dhe dokumentacionit historik, muzeu synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të ndërgjegjësojë brezat e rinj mbi pasojat e një të kaluare represive.