RTSH transmeton ekskluzivisht Botërorin e Skive, firmoset marrëveshja mes Drejtoreshës Vasili dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Skive
RTSH siguron transmetimin ekskluziv të Kampionatit Botëror të Skive. Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, znj. Eni Vasili, dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, z. Elvis Toçi nënshkruan këtë të premte, 7 nëntor, marrëveshjen e bashkëpunimit për transmetimin ekskluziv të Kampionatit Botëror të Skive në ekranin e RTSH-së.
Marrëveshja u firmos nga ambientet e panairit “Klik Ekspo Group”, ku RTSH është media partner dhe ka stendën e saj. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për transmetimin ekskluziv të eventit ndërkombëtar të skive, Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, znj. Eni Vasili, uroi sukses dhe profesionalizëm për këtë bashkëpunim të rëndësishëm mediatik.
Në fjalën e tij, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, z. Elvis Toçi, u shpreh se është një nder dhe kënaqësi e madhe që mes mbi 60 mijë spektatorëve të huaj u përmend edhe Radio Televizioni Shqiptar si pjesë e transmetimit live të këtij eventi sportiv madhështor, krah mediave të njohura si RAI, Sky Sport dhe platformave të tjera ndërkombëtare.
“Jam shumë i kënaqur që arritëm të realizojmë një transmetim live në krah të RAI-t, Sky Sport dhe RTSH-së, emra që u duartrokitën nga 60 mijë spektatorë në pistën e skive,” tha Toçi.
Ky partneritet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në pasurimin e programeve sportive të transmetuesit publik, duke sjellë për publikun shqiptar një nga ngjarjet më të mëdha të sportit dimëror.
Përmes kësaj marrëveshjeje, RTSH forcon rolin e tij si promotor i sporteve dhe ngjarjeve ndërkombëtare me interes të gjerë për publikun shqiptar.
