RTSH programacion festiv për dhjetorin, kryeredaktori Gorica: Sjellim një buqetë informuese, edukative dhe argëtuese për të gjithë
RTSH ka nisur transmetimin e programit të saj të dhjetorit, duke përfshirë filma shqiptarë të restauruar, spektakle për fëmijë dhe ngjarje sportive ndërkombëtare.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Kryeredaktori i RTSH1, Klajd Gorica, e cilësoi të gjithë paketën e programacionit gjatë muajit dhjetor si një buqetë jo vetëm informuese, por edhe edukative dhe argëtuese.
“Kemi filluar transmetimin e filmave shqiptarë të restauruar që nga fundi i muajit nëntor, duke përfshirë edhe kampionatin botëror të skive. RTSH ka mision informimin, edukimin dhe argëtimin e publikut, kishim Sofrën Tiranase, serialin La moderna etj. Pra është buqetë pasi RTSH ka misionin informimin, edukimin dhe argëtimin. Për informim kemi një program të pasur dhe të detajuar që ofron panoramë të gjerë të të gjithë ngjarjeve festive. Emisioni ‘Eja te Ne’ është një laborator ku shikuesi mund të ndjekë gjithçka në kohë reale. Më pas vijojmë me intervista ekskluzive në “Çasti i Duhur” dhe për të vijuar pasdite me “Kohë Reale”. Kemi program për arsimin, minoritetet dhe bujqësinë, ndërsa për fëmijët kemi një spektakël të veçantë në programin “+/- 18.”, tha Gorica.
Në fushën e sportit, shtoi Gorica, RTSH Sport do të transmetojë ndeshjet e Kampionatit Shqiptar të Futbollit (Abissnet Superiore) dhe garat e Kampionatit Botëror të Skive. Pjesë e dhjetorit festiv do të jetë edhe Junior Eurovision, ku Gorica ftoi shqiptarët në të gjithë botën të votojnë Kroni Pulën.
“Më 12 dhjetor hapet votimi për Junior Eurovision, ku shqiptarët nga e gjithë bota mund të votojnë për talentin e tyre të preferuar, me mbyllje të votimit më 13 dhjetor pak para fillimit të kompeticionit, duke mbështetur Kronin. Ky programacion i pasur synon të kombinojë argëtimin, kulturën dhe informacionin, duke ofruar një muaj të mbushur me emocione për të gjithë shikuesit e RTSH-së”, tha ai.
