Rritje e qëndrueshme, por me sfida. Ekspertët kërkojnë diversifikimin e faktorëve të rritjes

Rritja e qëndrueshme, e përforcuar edhe nga publikimet e fundit, është mbështetur dhe ka vepruar reciprokisht mbi panoramën ekonomike të vendit.
Eksperti i ekonomisë Albert Gajo vëren se faktori i dukshëm ndalon te kreditimi.
“Në njëfarë mënyre e ka stimuluar kreditimin, veçanërisht kreditimin e banesave. Gjithashtu ka forcuar në përgjithësi pozicionin e bankave kundrejt personave të tretë, individëve apo bizneseve, për shkak të uljes së normave të interesit dhe uljes së përqindjes së normave të kredisë,” thotë eksperti.
Nga ana tjetër, sipas z. Gajo duhet pasur kujdes për sektorin prodhues në kushtet e forcimit të lekut.
“Kjo e dëmton sektorin prodhues në Shqipëri, i cili bazën e veprimtarisë së vet ekonomike ka eksportin. Në qoftë se kursi i këmbimit vlerësohet me këto ritme, krijon probleme shumë të mëdha në drejtim të ‘cash flow’ [përkth. fluksit të parasë] të këtyre kompanive dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare,” shprehet eksperti i ekonomisë.
Sipas tij, që i referohet edhe mendimit të kualifikuar ekonomik, zbutja e vetëm një faktori veprues në rritjen ekonomike mund të vijë nga diversifikimi.
“Zgjidhja, në këtë rast, është që të krijohet një kërkesë e re për flukse monetare, veçanërisht për zgjerimin e tregut financiar në Shqipëri, duke krijuar një treg të qëndrueshëm kapitalesh, qoftë në aksionet brenda kompanive shqiptare, qoftë edhe nëpërmjet përfshirjes së bursës ndërkombëtare, në mënyrë që shqiptarët të diversifikojnë portofolat e tyre të kursimeve, të mos i kenë vetëm në LEK apo në ‘real estate’ [përk. pasuri të patundshme], por t’i diversifikojnë në aksione të tjera, me bono thesari të vendeve të tjera, në mënyrë që kursi i këmbimit të jetë natyrshëm i barazuar me kërkesën për fonde valutore. Në këtë mënyrë ajo do të rikthehej në kufijtë e vet natyralë,” deklaron z. Gajo.