Rritja e tarifave doganore nga SHBA, BE gati planin e kundërmasave nëse s’ka marrëveshje
BE mund të përgjigjet me kundërmasa lidhur me rritjen e tarifave doganore nga SHBA, nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje deri më 1 gusht. Nëse s’ka marrëveshje, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, ka një listë të përgatitur me tarifa evropiane me “vlerë 21 miliardë euro dhe mund të shtohet edhe një tjetër”.
Megjithatë, shtoi Tajani, Bashkimi Evropian duhet të ruajë qetësinë përballë kërcënimeve të tarifave të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pa hequr dorë nga mbrojtja e interesave të veta ekonomike.
“Ka një listë të përgatitur me tarifa evropiane me vlerë 21 miliardë euro dhe mund të shtohet edhe një tjetër. Por unë jam optimist se do të ketë përparim. Tarifat dëmtojnë të gjithë, duke filluar nga SHBA. Nëse bursat bien, në rrezik janë pensionet dhe kursimet e amerikanëve. Qëllimi ynë afatgjatë është: zero tarifa, një treg i hapur midis Kanadasë, SHBA-së, Meksikës dhe Evropës. Me qetësi dhe gjakftohtësi. Duhet të negociojmë me kokën lart, duke qenë të vetëdijshëm se është në interesin e të gjithëve të shmanget një luftë tregtare. Evropa ka nevojë për Amerikën dhe anasjelltas”, tha Tajani.
Sipas tij, shtyrja e vendimit për kundërmasat nga BE deri më 1 gusht është një hap i mençur, që i jep kohë diplomacisë të funksionojë. Tajani rikonfirmoi qëndrimin italian në favor të një tregu të hapur dhe pa tarifa doganore mes BE-së dhe SHBA-së
“Motoja ime është “zero me zero”: asnjë tarifë mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. E di që nuk është e lehtë, por është e vetmja mënyrë për të zhvilluar bashkë ekonomitë tona. Në ndërkohë, do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur sektorët më të ndjeshëm: industrinë automobilistike, farmaceutikën, verën dhe të gjithë agroushqimin. Do të kërkojmë që çdo kundërmasë nga BE të mos dëmtojë këto sektorë”, tha Tajani.
Tajani nuk përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme, e ngjashme me atë që arriti Mbretëria e Bashkuar, për të hapur rrugën e negociatave më të detajuara.
Duke u ndalur edhe te marrëdhëniet me ish-presidentin Trump, Tajani tha se raportet me SHBA-të duhet të mbeten të forta, por pa sakrifikuar interesat evropiane.
“Trump mbron interesat e SHBA-së, dhe Evropa duhet të mbrojë të sajat. Të kesh marrëdhënie të mira nuk do të thotë të pranosh gjithçka,” u shpreh ai.
Bashkimi Evropian bëri të ditur se do të zgjasë deri në fillimin e gushtit pezullimin e kundërmasave ndaj SHBA-së mbi tarifat për të gjetur mundësi për negociata. Më herët presidenti amerikan Donald Trump tha se do të impononte një tarifë prej 30% mbi shumicën e importeve nga BE.
