Rriten tensionet për Groenlandën, Trump: Nuk ndiej më detyrim të mendoj vetëm për paqen. Stramer: Duhet diskutim i qetë mes aleatëve
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën e tij lidhur me Groenlandën, duke deklaruar se nuk ndihet më i detyruar të mendojë vetëm për paqen, por edhe për interesat e Shteteve të Bashkuara. Deklaratat vijnë në një moment tensionesh në rritje mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë, pas kërcënimeve për vendosje tarifash ndaj vendeve që kundërshtojnë planet amerikane lidhur me aneksimin e Groenlandës.
Gjatë fundjavës, presidenti amerikan i dërgoi një letër kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ku shprehu pakënaqësinë për faktin se nuk ishte vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen.
“Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e ‘8 luftërave PLUS’, nuk ndiej më detyrim të mendoj vetëm për paqen,” shkroi Trump. Ai shtoi se, ndonëse paqja do të mbetet e rëndësishme, tani do të mendojë edhe për atë që është “e mirë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në lidhje me tensionet për Groenlandën, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, bëri thirrje për qetësi dhe dialog mes aleatëve. Në një konferencë për shtyp, ai theksoi se çështje të tilla duhet të trajtohen përmes diskutimeve të qeta dhe konstruktive.
“Siguria e Groenlandës ka rëndësi dhe do të ketë edhe më shumë rëndësi ndërsa ndryshimet klimatike riformësojnë Arktikun, hapen rrugë të reja detare dhe rritet konkurrenca strategjike. Veriu i Epërm do të kërkojë më shumë vëmendje, investime dhe mbrojtje kolektive më të fortë,” deklaroi Starmer.
Ai kritikoi ashpër edhe kërcënimet e Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që kundërshtojnë idetë e tij për Groenlandën, duke i cilësuar ato “krejtësisht të gabuara”.
“Aleancat kanë mbijetuar sepse janë ndërtuar mbi respekt dhe partneritet, jo mbi presion. Përdorimi i tarifave kundër aleatëve nuk është mënyra e duhur për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe as për të forcuar sigurinë e Groenlandës,” u shpreh Starmer.
