Rishikimi i dytë i buxhetit, rialokohen fonde për sigurinë digjitale dhe garancinë sovrane për bujqësinë

kryeministri 23

Forcimi i sigurisë digjitale, skema e garancie sovrane për sektorin e bujqësisë, dhe përmirësimet në teknologjinë e informacionit në Administratën Publike janë zërat kryesore që përfitojnë nga rishikimi i buxhetit.

Në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave bëri me dije se do të rialokohen 11.8 miliardë lekë. Ndërkohë që ministri iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve lidhur me realizimin e mbledhjes së disa taksave dhe efektivitetin e skemave sovrane.

“Ka një nevojë për të marrë disa masa për mbledhjen e disa të ardhurave si TVSH, tatim-fitimi, taksat nacionale dhe taksat doganore, të cilat rezultojnë me mosrealizim”, tha Milva Ekonomi.

“Është një plan pune, që ne po e ndjekim në vijimësi. Doganën e kemi me një performancë pak më të dobët. Ka dhe një çështje tjetër ku mosrealizim vjen edhe si rezultat i zhvlerësimit të monedhës euro” U shpreh ministri Petrit Malaj.

“Sa garanci sovrane janë aktive sot? Cili ka qenë efektiviteti i përdorimit të tyre?” ishin pyetjet e deputetit Erion Braçe drejtuar ministrit Malaj.

“Aktualisht aktive kemi 3 garanci sovrane. Sa i përket efektshmërisë, këtë informacion mund t’ua përcjellim në një moment të dytë, megjithatë në totalë janë 22 miliardë lekë”, tha Malaj.

Edhe ky rishikim i buxhetit tha ministri Malaj nuk prek deficitin buxhetor, që mbetet në nivelin rreth 68.1 miliardë lekë, ku si rrjedhojë edhe borxhi publik nuk ndryshon.