Rimëkëmbja e Ukrainës – Liderët evropianë mblidhen në Romë, i pranishëm kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që mbahet në Romë në datat 10 dhe 11 korrik.
Ngjarja mbledh krerë shtetesh, liderë europianë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare për të koordinuar mbështetjen afatgjatë ndaj Ukrainës, pas dëmeve të shkaktuara nga lufta. Krahas presidentit Volodymyr Zelensky, në formatin e Romës është dhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena.
Si kryesues i delegacionit shqiptar, kryeministri Rama do të jetë pjesë e sesioneve plenare kushtuar financave, pushtetit vendor dhe zhvillimit ekonomik. Shqipëria do të konfirmojë edhe një herë angazhimin e saj të plotë në mbështetje të Ukrainës, jo vetëm në aspektin diplomatik, por edhe në iniciativat praktike të rindërtimit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Samiti për rimëkëmbjen e Ukrainës është i fokusuar në rindërtimin, modernizimin dhe transformimin e Ukrainës pas agresionit rus. Me herët takime të ngjashme janë mbajtur në Lugano (2022), Londër (2023) dhe Berlin (2024).
Sivjet, Konferenca për Rimëkëmbjen e Ukrainës do të fokusohet në katër dimensione kryesore:
- Dimensioni i biznesit, mobilizimi i sektorit privat për rindërtimin dhe rritjen e ekonomike
- Dimensioni njerëzor, rimëkëmbja sociale dhe kapitali njerëzor për të ardhmen e Ukrainës
- Dimensioni lokal dhe rajonal, rimëkëmbja e bashkive dhe rajoneve
- Dimensioni i Bashkimit Europian, anëtarësimi në BE dhe reformat e nevojshme
