Rikualifikimi i hyrjes Shkodër–Shirokë / Shëtitore buzë liqenit, korsi biçikletash dhe ndriçim modern për qytetarët dhe vizitorët
Vijojnë punimet për rikualifikimin e hyrjes Shkodër–Shirokë, një projekt i rëndësishëm që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe transformimin e zonës në një hapësirë moderne dhe funksionale.
Projekti parashikon zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës ekzistuese, sistemimin e trotuareve, ndërtimin e korsive për biçikleta, si dhe krijimin e një shëtitoreje buzë liqenit, e cila do të shërbejë si hapësirë rekreative për qytetarët dhe turistët.
Gjithashtu, do të realizohet ndriçimi modern, gjelbërimi i zonës, vendosja e stolave dhe hapësirave çlodhëse, si dhe sistemimi i kanalizimeve dhe rrjetit të ujërave.
Në kuadër të këtij investimi, po vijon edhe procesi i dëmshpërblimit për objektet që preken nga gjurma e projektit, me qëllim që punimet të zhvillohen pa pengesa dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ky projekt pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës, duke rritur vlerën e pronave, duke nxitur investimet dhe duke e kthyer hyrjen Shkodër–Shirokë në një kartolinë të re urbane për qytetin.
Me përfundimin e punimeve, ky aks do të shndërrohet në një nga segmentet më moderne dhe më të bukura rrugore në veri të vendit, duke i dhënë Shkodrës një hyrje dinjitoze dhe një hapësirë të re rekreative buzë liqenit.
