Rezultatet e provimit të matematikës, 166 maturantë ekselentë

matura matematike

Rezultatet e provimit të Matematikës për Maturën Shtetërore 2025 janë publikuar këtë të enjte dhe statistikat tregojnë se numri i maturantëve ekselentë është më i vogël se një vit më parë.

Këtë vit kanë marrë notën 10.00, 166 maturantë, ndërsa vjet janë vlerësuar me këtë notë 242 të rinj. Provimin e kanë dhënë gjithsej 25,824 maturantë, ndërsa 673 prej tyre kanë mbetur; një vit më parë kjo shifër ka rezultuar më e lartë, 701 maturantë mbetës.

Kalueshmëria këtë vit përkthehet në 97.39%, ndërsa nota mesatare për provimin e matematikës këtë vit është 6.47.

Sipas Portalit Studentor, pjesa më e madhe e maturantëve janë vlerësuar me nota nga 5 – 5.99. Këto vlerësime i kanë marrë 6,721 maturantë. 5,075 maturantë të tjerë janë vlerësuar me notat nga 6–6.99, ndërsa 3,784 maturantë janë vlerësuar me notat 7–7.99.