Revolucion digjital në Dogana, qeveria gati ligjin për “Dritaren e Vetme”, zhdoganim pa letra, diskutohen tarifa të reja për biznesin
Qeveria shqiptare ka përgatitur kuadrin e plotë ligjor për transformimin më të madh teknologjik të procedurave doganore, përmes krijimit të Dritares së Vetme Kombëtare (DVKD). Projektligji i ri, i propozuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë e Inovacionit, synon t’i japë fund epokës së shkresave fizike duke unifikuar Doganën, AKU-në dhe agjencitë e tjera në një portal të vetëm digjital.
Si do të funksionojë?
Sipas projektligjit që është bërë publik të hënën, parimi bazë i ligjit të ri është koncepti “vetëm një herë”. Bizneset nuk do të kenë më nevojë të dorëzojnë të njëjtin dokumentacion në zyra të ndryshme (si te Dogana, Bujqësia apo Mjedisi).
Sistemi i ri do të mundësojë dorëzimin elektronik të të gjitha certifikatave dhe lejeve në një pikë të vetme hyrjeje. Sipas relacionit shpjegues, ky ndryshim pritet të sjellë:
Ulje drastike të kohës së zhdoganimit;
Minimizim të kontakteve fizike (duke ulur riskun për korrupsion);
Shkëmbim automatik të të dhënave mes institucioneve.
Financimi dhe tarifat për biznesin
Një nga pikat më të rëndësishme të relacionit lidhet me koston e mirëmbajtjes së këtij sistemi, e cila llogaritet në rreth 1.36 milionë dollarë në vit. Për të mbuluar këtë kosto, qeveria ka hedhur në diskutim dy skenarë: mbulimin nga Buxheti i Shtetit ose vetë-financimin përmes tarifave të biznesit.
Sipas opsionit të dytë të detajuar në dokument, mund të aplikohen tarifa specifike për përdoruesit e sistemit:
Tarifë regjistrimi rreth 25 USD (një herë).
Abonim vjetor, rreth 50 USD.
Tarifa për transaksion, një pagesë e vogël për çdo deklaratë doganore.
Vendimmarrja përfundimtare për tarifat do t’i takojë Komitetit Mbikëqyrës pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Investimi dhe afatet
Projekti mbështetet nga një kredi e Bankës Botërore me vlerë totale rreth 5.9 milionë dollarë për ndërtimin dhe implementimin e sistemit. Kontrata për zgjidhjen teknike pritet të nisë zbatimin brenda janarit 2026, ndërsa afati i plotë i projektit është shtyrë deri në qershor 2027.
Operatori teknik që do të menaxhojë sistemin do të jetë AKSHI, ndërsa Autoriteti Doganor do të ketë rolin e administratorit të përgjithshëm të proceseve.
Përafrimi me BE
Kjo nismë vjen edhe si detyrim në kuadër të integrimit europian, duke përshtatur Rregulloren e BE-së 2022/2399 për mjedisin doganor. Synimi është që dogana shqiptare të jetë plotësisht e ndërveprueshme me sistemet europiane (EU CSW-CERTEX), duke lehtësuar tregtinë dhe transportin në Ballkanin Perëndimor.
Pikat kyçe të projektligjit:
- Krijimi i platformës elektronike ku bizneset dorëzojnë dokumentet vetëm një herë.
- Dogana, AKU, Ministritë e linjës integrohen në një sistem.
- Operimi kushton 1.36 mln USD/vit.
- Rekomandimet e OKB (UN/CEFACT) dhe rregulloret e BE.
