Reshjet dhe përmbytjet/ Çako: Shkodra, pika më e ndjeshme. Probleme edhe në Lezhë, Durrës e Gjirokastër. Evakuime të përkohshme në disa zona

Haki Çako, në një lidhje të

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, ka dhënë një pasqyrë të detajuar mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive në disa zona të vendit.

Çako bëri me dije se ndodhet në rajonin e Lezhës, pas një monitorimi të pandërprerë gjatë gjithë ditës së djeshme dhe natës në Shkodër, Shqipërinë e Mesme dhe Jug. Sipas tij, po inspektohen zonat me prezencë të konsiderueshme uji në Lezhë dhe Shkodër, ndërsa situata paraqitet nën kontroll.

Çako theksoi së  në qarkun e Lezhës, reshjet kanë sjellë përmbytje në një sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore dhe disa banesa, kryesisht në bashkinë Kurbin, ku sikurse bëri ai me dije, disa familje janë evakuuar përkohësisht, por aktualisht janë rikthyer në banesat e tyre. Po ashtu,ai shtoi se probleme janë konstatuar edhe në zonën e Gjadrit, ku kanalet kanë pasur ngarkesë maksimale. Ndërkohë, lumenjtë vijojnë të jenë me kapacitet të plotë për shkak të reshjeve intensive gjatë natës.

“Jam në rajonin e Lezhës pasi gjatë gjithë ditës së djeshme dhe gjatë natës kemi qenë në shkodër duke ndjekur situatën pothuajse në gjithë veriun por dhe në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug.

Jemi duke inspektuar gjithë pjesën ku ka prezencë të konsiderueshme uji në Lezhë dhe Shkodër. Situata është nën kontroll. Lezha ka pasur prezencë uji pothuajse në një numër të konsiderueshëm hektarësh të tokave bujqësore dhe banesa kryesisht në bashkinë Kurbin ku është dashur të evakuohen disa familje, por aktualisht janë rikthyer. Por dhe Lezha në pjesën e Gjadrit ku kanalet e  nivelit të lartë të kenë pasur ngarkesa maksimal dhe vazhdon dhe Lumi Drinos të jetë me kapacitet të plotë pasi reshjet kanë qenë intensive dhe gjatë natës.  Për momentin janë ndërprerë por pritet që dhe gjatë ditës së sotme të ketë intensitet reshjesh të cilat pritet të sjellin prurje të larta duke vënën në rrezik zonat e banuara apo tokën bujqësore, infrastrukturën. Ajo që është më e ekspozuar është rajoni i Shkodrës ku basenet e Drinit kanë ngarkesën e vetë janë duke u monitoruar hap pas hapi. Ka prezencë të konsiderueshme uji, por jo përmbytje masive”, deklaroi ai.

Çako paralajmëroi se, ndonëse reshjet janë ndërprerë për momentin, pritet që gjatë ditës së sotme të rikthehen me intensitet, duke sjellë prurje të larta që mund të rrezikojnë zonat e banuara, tokat bujqësore dhe infrastrukturën. Zona më e ekspozuar mbetet qarku i Shkodrës, ku basenet e Drinit janë nën monitorim të vazhdueshëm, megjithëse nuk ka pasur përmbytje masive.

Sa i përket evakuimeve, Çako sqaroi se aktualisht nuk ka familje të evakuuara në qarkun e Lezhës, ndërsa edhe në Shkodër nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja me evakuime, pavarësisht rritjes së prurjeve të lumit Buna gjatë natës.

“Për momentin nuk ka pasur evakuimi. Në Shkodër nuk ka qenë e nevojshme të bëhet evakuimi. Gjatë natës ka pasur rritje të intensitetit të shkarkimeve apo prurjeve të Bunës sepse dhe reshjet kanë qenë intensive. Kemi angazhuar gjithë strukturat operacionale dhe forcat përkatëse nëse do jetë e nevojshme qoftë për evakuim apo nevoja të tjera imediate.

Ka pasur situatë shumë të rënduar bashkia Durrësit gjatë ditës së djeshme ku ka ende prezencë të lartë të ujit në pjesën e burgut apo në kënetë e disa zona të tjera. Ndonëse është tërhequr uji, është punuar gjatë gjithë natës me gjithë strukturat e forcave operacionale, FA-të, Policinë e shtetit dhe strukturat e tjera vendore. Ka një përmirësim të situatës ndonëse ka ende prezencë uji. Ka pasur situatë të jashtëzakonshme në qytetin e Gjirokastrës ku vërshimet në formë stuhie kanë sjellë problematika të konsiderueshme që kanë dëmtuar infrastrukturën. Edhe aty është punuar gjatë gjithë natës dhe po punohet për të rehabilituar zonën. Ndonëse ka pasur një situatë të rënduar në nivel kombëtar, jetët e qytetarëve kanë qenë të siguruara”, shtoi Çako.

Situatë e rënduar është regjistruar edhe në bashkinë e Durrësit, ku ka pasur prezencë të lartë uji në disa zona, përfshirë atë pranë burgut dhe zonën e kënetës. Strukturat operacionale, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe autoritetet vendore kanë punuar gjatë gjithë natës, duke sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës, megjithëse ende ka zona me ujë të pranishëm.

Çako sqaroi se në Gjirokastër, reshjet në formë stuhie kanë shkaktuar vërshime të mëdha, duke dëmtuar infrastrukturën dhe duke sjellë depërtim uji në disa banesa në pjesën e poshtme të qytetit. Disa familje janë evakuuar përkohësisht dhe më pas janë rikthyer. Çako theksoi se ka dëme të konsiderueshme në rrugë dhe infrastrukturë, për shkak të intensitetit të jashtëzakonshëm të reshjeve në një kohë të shkurtër.

“Vërshimet e ujit kanë depërtuar në disa banesa në pjesën fundore të Gjirokastrës. Iu është ofruar ndihmë për t’u spostuar ndonëse janë siguruar në mjedise të tjera, janë evakuuar pak familje dhe janë rikthyer.

Ka dëme të konsiderueshme në rrugë, në infrastrukturë, ka inerte. Sepse vërshimi ka qenë shumë i madh dhe intensiteti i reshjeve ka qenë i jashtëzakonshëm në një periudhë të shkurtër”, bëri me dije ai.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, Çako siguroi se të gjitha rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa po punohet për hapjen e disa rrugëve rurale, kryesisht në qarqet e Gjirokastrës dhe Shkodrës.

Drejtori i Mbrojtjes Civile theksoi se gjatë orëve në vijim mbeten pika të ndjeshme, veçanërisht në zonën jugperëndimore, ku reshjet në formë shtrëngatash mund të krijojnë vështirësi në qarkullim dhe probleme me sistemet e shkarkimit. Lumenjtë janë nën nivel kritik, por po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme.

Në përfundim, Çako u bëri thirrje qytetarëve që jetojnë në zona të ekspozuara ndaj reshjeve intensive të kërkojnë ndihmë në mënyrë të menjëhershme, duke siguruar se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate emergjente.

“Rrugët Kombëtare janë të hapura. Janë disa rrugë rurale ku po punohet për t;’u hapur kryesisht në rajonin e Gjirokastrës e Shkodrës. Rrugët nacionale, janë të gjitha të hapura dhe të gjitha strukturat e operatorëve përkatës e institucioneve janë në krye të detyrës.

Pikat e kuqe gjatë orëve në vazhdim: Natyrisht që ka, pjesa jug-perëndimore është gjithmonë e ekspozuar nga reshje në formë shtrëngatash që krijojnë vështirësi në qarkullimin e qytetarëve apo si pasojë e bllokimeve në puseta, shkarkime, në kapacitetin shkarkues të kanaleve të niveleve të larta. Lumenjtë janë nën nivel por janë duke u monitoruar.

Sipas parashikimeve të sinoptikanëve apo kapaciteteve e informacioneve në të gjitha sistemeve të ndërthurura që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile parashikohet që dita e sotme të ketë intensitet reshjesh. Shpresojmë që ndryshimi i temperaturave pas ditës së sotme do bien dhe mbase ndryshojnë dhe ndryshimin e intensitetit të reshjeve për shkak të prezencës së borës në zonat malore”, përfundoi Çako.