Rekord historik në Oscar, filmi “Sinners” kryeson me 16 nominime

filmi “Sinners”

Filmi “Sinners” ka hyrë në histori duke thyer rekordin për numrin më të madh të nominimeve për çmimet Oscar nga një film i vetëm, me plot 16 nominime. Kjo arritje tejkalon rekordin e mëparshëm prej 14 nominimesh dhe e vendos filmin përpara rivalit të tij kryesor këtë vit, trillerit “One Battle After Another” me Leonardo DiCaprio, i cili ka siguruar 13 nominime.

Në mesin e të nominuarve janë aktori kryesor Michael B. Jordan, Wunmi Mosaku dhe Delroy Lindo. Jordan është nominuar për aktorin më të mirë për rolin e dy vëllezërve binjakë që kthehen në Misisipi në vitet 1930 për të hapur një lokal, i cili më pas sulmohet nga vampirë gjakpirës.

Emra të tjerë të rëndësishëm në garë përfshijnë Timothée Chalamet, i cili synon fitoren pas dy nominimeve të mëparshme, si dhe aktoren irlandeze Jessie Buckley, favorite për çmimin e aktores më të mirë për rolin e saj në filmin “Hamnet”.

Megjithatë, aktori Paul Mescal nuk arriti të nominohej, ndërsa filmi “Wicked: For Good”, Cynthia Erivo dhe Ariana Grande munguan plotësisht nga lista.

Regjisori Ryan Coogler është nominuar për regjinë, skenarin dhe prodhimin e “Sinners”, ndërsa filmi është gjithashtu kandidat për çmimin kryesor Filmi më i Mirë. Suksesi i tij konsiderohet i jashtëzakonshëm, pasi sfidon trendin tradicional sipas të cilit filmat horror rrallëherë vlerësohen në ceremonitë e mëdha të çmimeve.

Fituesit e çmimeve Oscar do të shpallen në ceremoninë që do të mbahet në Hollywood më 15 mars.