Rekomandimet e BE për transmetuesin publik, tryezë diskutimi me përfaqësues të RTSH dhe ekspertë

7 pika të rekomandimeve nga Bashkimi Europian mbi pavarësinë dhe reformimin e transmetuesit publik, në kuadër të anëtarësimit, e kthyen Forumin e 8-të në diskutime konkrete mes panelistëve.
Duke bërë një qasje ballkanike, përfaqësuesi europian Shorten Vojo kërkoi nga RTSH-ja që të ruajë pavarësinë institucionale, të mos ndikohet nga ndërhyrjet politike, ndërsa vërejti edhe një model financimi të pamjaftueshëm. Llogaridhënia publike, tha ai, duhet të jetë e pakufizuar.
Gjatë tryezës me grupet e punës, ekspertë të huaj dhe shqiptarë u ndalën tek pavarësia ekonomike e RTSH-së, çka nënkupton edhe autonominë e saj.
“Anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të jenë shumë të mbrojtur dhe ndoshta të kenë edhe një mandat më të gjatë, le ta kenë 7 vite. Pavarësia në kuptimin institucional, që ka të bëjë me proceset e zgjedhjeve të rëndësishme, ndoshta duhet të shoqërohet me kritere më të forta. Duhet të ketë një regjistër që shënon ndërhyrjet në politikën editoriale,” tha Lutfi Dervishi.
Përfaqësues të RTSH-së, gazetarë, por edhe përfaqësues nga shoqëria civile bënë propozimet e tyre.
“Nga trajtimi i gazetarëve dhe padyshim, thelbi është te trajtimi financiar. Kalendarizimi për daljen me një periudhë afatmesme të RTSH-së nga nevoja financiare nga buxheti i shtetit dhe indeksimi i tarifës, ku pa asnjë lloj diskutimi është i vonuar,” u shpreh kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli.
“Pavarësia kryesore fitohet vetëm duke pasur pavarësi ekonomike. Pensionistët që jetojnë vetëm apo njerëzit që jetojnë me asistencë, ashtu siç iu bë kompensim i energjisë, t’u bëhet edhe kompensimi i tarifës që paguhet për RTSH-në,” tha anëtari i Këshillit Drejtues, Petrit Beci.
Materiali është i përgatitur nga ekspertë të Këshillit të Europës, në kuadër të projektit të përbashkët BE-KE, në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, ku diskutohet për modalitetet e zbatimit, që çojnë drejt një drafti ligjor për miratimin e tyre në Kuvend.