Regjistrimet në klasë të parë dhe të dhjetë, dy muaj afat për aplikimet
Regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë dhe klasë të dhjetë për vitin e ri shkollor ka nisur këtë fillimjavë, më 7 korrik, dhe do të mbyllet në fund të muajit gusht.
Ashtu siç ndodh prej 3 vitesh, aplikimi do të zhvillohet online nëpërmjet portalit e-Albania.
Jorida Rexha, nëna e një fëmije 7 vjeç, së bashku me grupin tonë të xhirimit aplikoi për regjistrimin e vajzës së saj në klasë të parë pa qenë nevoja të paraqitet fizikisht në shkollë.
“Realisht ishte shumë e thjeshtë. Mjafton të ndjekësh të gjithë hapat që e-Albania të çon për të kryer dhe çdo gjë është OK. Fëmijët janë në të njëjtën shkollë dhe kjo ishte arsyeja pse e bëra aplikimin për të njëjtën shkollë. Duke qenë se jam shumë e kënaqur me shkollën ‘Avni Rustemi’, e rizgjodha sërish edhe për vajzën e dytë,” tregon znj. Rexha.
Prindërit nuk mund të zgjedhin shkollën. Ata janë të detyruar ta regjistrojnë fëmijën në institucionin edukues që i përcakton sistemi.
“Shkollat janë të përcaktuara në bazë të njësive administrative së cilës i përket. Tani pres vetëm konfirmimin e drejtoreshës së shkollës për të më konfirmuar që ky regjistrim është i suksesshëm. Përgjigjja na vjen në llogarinë personale në e-Albania. Jemi në pritje!” thotë znj. Rexha.
Regjistrimi mund të kryhet lehtësisht nga çdo pajisje që ka akses në internet, duke hyrë në llogarinë personale në e-albania.al dhe duke ndjekur hapat e udhëzuar në shërbimin përkatës për regjistrimin e nxënësve të klasës së parë dhe të dhjetë.
