Ratifikimi i marrëveshjes së Bordit të Paqes, projektligji shkon në Kuvend. Zbardhet marrëveshja, Shqipëria anëtare themeluese

Kuvend22

Shqipëria pritet të zyrtarizojë një tjetër angazhim madhor ndërkombëtar në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për aderimin në “Bordin e Paqes”, një organizatë e re ndërkombëtare e iniciuar nga Uashingtoni dhe e mbështetur nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (e vitit 2025).

Në dokumentin që mban firmën e Kryeministrit Edi Rama, theksohet se ky bord do të ketë fokus zonat e konfliktit (si Lindja e Mesme) dhe synon rindërtimin e stabilitetit. Por, çfarë parashikon konkretisht karta e kësaj organizate dhe sa do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë?

Sipas relacionit, Shqipëria hyn në këtë organizatë me statusin e “anëtarit themelues”, çka i jep të drejtë të marrë pjesë në vendimmarrje. Mandati i çdo shteti anëtar është 3 vjeçar, me të drejtë rinovimi.

Statusi i anëtarit thhemelues i jep Shqipërisë një rol aktiv dhe të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të këtij mekanizmi ndërkombëtar. Ky status rrit ndjeshëm profilin dhe vizibilitetin e vendit në skenën globale, duke e pozicionuar si faktor stabiliteti dhe aktor paqeje në një proces që synon t’i japë fund një konflikti shumëdekadash në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim është gjithashtu një konfirmim i partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili mbetet boshti kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garancia e orientimit euroatlantik të vendit. Shqipëria vlerësohet si një aleate e besueshme, e parashikueshme dhe e përkushtuar ndaj vlerave të përbashkëta të paqes, sigurisë dhe rendit ndërkombëtar, të bazuar në rregulla”, thuhet në relacion.

Struktura e re ndërkombëtare duket se është ndërtuar mbi një hierarki ekzekutive. Ndonëse vendimet në Bordin e Shteteve Anëtare merren me shumicë votash, Kryetari i Bordit të Paqes ka fuqi supreme. Sipas marrëveshjes, Kryetari gëzon:

Të drejtën e Vetos, asnjë vendim nuk kalon pa konfirmimin e tij.

Autoritetin interpretues, ai ka fjalën e fundit në interpretimin e rregullave.

Fuqinë e rinovimit, vendos për zgjatjen e mandatit të shteteve anëtare.

Qeveria shqiptare sqaron se anëtarësimi do të ketë kosto financiare, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndonëse shuma ekzakte nuk është përcaktuar ende, ajo do të klasifikohet si “kontribut vullnetar” në zërin “Kuota ndërkombëtare” për vitin 2026.

Bërja palë në këtë Kartë, që themelon Bordin e Paqes, do të shoqërohet me efekte financiare për Republikën e Shqipërisë, që do të derdhen në formën e kontributit vullnetar nga çdo shtet anëtar, shtete të tjera, organizata dhe burime të tjera, kosto këto që nuk janë parashikuar në këtë moment. Kontributi vullnetar që do të derdhë Republika e Shqipërisë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në llogarinë ekonomike 605 “Kuota ndërkombëtare”. Nga ana tjetër, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të parashikojë koston financiare të këtij projektakti si pjesë e kërkesave buxhetore të saj, në kuadër të përgatitjes së PBA 2027-2029”, thuhet në dokument.

Gjithashtu, organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë status diplomatik, privilegje dhe imunitete në vendet ku do të operojnë, të ngjashme me ato të organizatave të tjera ndërkombëtare si OKB apo NATO.

Në relacion thuhet se kjo nismë vjen si një konfirmim i partneritetit strategjik me SHBA-në dhe pozicionon Shqipërinë si një “eksportues stabiliteti”. Depozitari i marrëveshjes do të jenë Shtetet e Bashkuara, ndërsa gjuha zyrtare e Bordit do të jetë anglishtja. Projektligji pritet të kalojë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.