Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Gogu: E ardhmja e Shqipërisë, në BE. Hapet në vjeshtë grupkapitulli i gjashtë

Raporti vjetor i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) për vitin 2024 ka mbërritur në Parlament për diskutim e miratim.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti socialist Toni Gogu deklaroi se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.
Ai u shpreh se nga viti 2013-të kur Partia Socialiste erdhi në pushtet e deri në 2025-ën, ndryshimet që ka pësuar Shqipëria në rrugëtimin e saj europian, janë të mëdha.
Gogu deklaroi se pas hapjes së 5 grupkapitujve të rëndësishëm për Shqipërinë, pritet që gjatë vjeshtës të hapet edhe grupkapitulli i 6-të.
“Shpresa europiane ka qenë ylli që ka shoqëruar gjithë shqiptarët në këto dekada edhe kur qielli i politikës është nxirë. Besën, shqiptarët, ja kanë dhënë Evropës prej kohësh.
Aty ku Shqipëria ka mbërritur sot, kemi kaluar zemrën e natës dhe jemi afër agimit të 2030-ës ku ky vend do bëhet pjesë e familjes që i është mohuar prej dekadash e shekujsh.
Sot integrimi evropian është konsensusi më i madh kombëtar që kemi. Kjo u vu re edhe në punën e këshillit kombëtar të integrimit.
Kilometri ku kemi ardhur nuk krahasohet me aty ku kemi nisur në 2013-ën. Këtë e thonë të gjithë krerët e BE, familjes së madhe europiane.
Janë hapur 5 grupkapitujsh dhe pritet i gjashti në vjeshtë për të hapur tërësisht dialogun intensiv të shqiptarëve me Evropën”, tha Gogu, i cili shtoi se politika e jashtme e Shqipërisë është tërësisht e loinjëzuar me politikën e jashtme europiane. Ai thekson ndërkaq se, Shqipëria është aleati më strategjik i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.