Raporti i dytë i Planit të Rritjes – 15 korriku, testi për shlyerjen e radhës të fondeve nga BE-ja
15 korriku është afati kur qeveria shqiptare duhet të ketë dorëzuar pranë Komisionit Europian raportin e dytë për zbatimin e Planit të Rritjes.
Ekspertja e këtij plani në Shqipëri, Krisela Haçkaj, i tha televizionit publik se mbajtja e ritmit është kusht, që teston shumëçka brenda vendit.
“Deri në qershor të 2025-ës janë 35 masa – ligje, strategji, akte nënligjore – që qeveria duhet t’i raportojë brenda datës 15 korrik. Qeveria është duke e përgatitur raportin. Nuk jemi në dijeni nëse është dorëzuar pranë Komisionit Europian. KE-ja ka tre muaj kohë për të vlerësuar raportin e marrë,” thotë znj. Hackaj.
Për të mbërritur te raportimi i dytë pas përftimit të fondeve prej 64,5 milionë euro të raportit të parë, Parlamenti ka vazhduar të miratojë ligje dhe strategji, të cilat do të presin për tre muaj dritën jeshile të Komisionit Europian.
“Ne kemi parë legjislaturën e kaluar që u mbyll me aprovimin e një sërë ligjesh, që janë pjesë e planit të reformave. Janë aprovuar edhe tre strategji, p.sh. për specializimin inteligjent, për sipërmarrjen, për parandalimin e pastrimit të parave etj.” tregon ekspertja.
Korriku shënon fazën tjetër të rëndësishme, atë të zbatimit në terren.
“Ajo që presim nga Parlamenti i ri, dhe ky do të jetë një ‘litmus test’ në vijim, është një punë edhe më intensive në kuadër të zbatimit; jo vetëm të aprovimit të ligjeve dhe reformave, por mbi të gjitha do të presim në gjashtëmujorin e dytë që të shohim elementet e para të impaktit në terren,” thotë znj. Haçkaj.
Ecuria e deritanishme e Planit të Rritjes provon se Shqipëria është në kohë. Nga ana tjetër, sfida për të treguar se ritmi i reformave nuk është vetëm për të marrë fonde, por për të ndërtuar një shtet europian në thelb dhe në përditshmëri, mbetet e hapur.
