Rama: Zjarret dhe sulmet kibernetike, sfida globale që Shqipëria po i përballon

ramo

Gjatë konferencës së fund vitit, Kryeministri Edi Rama prezantoi zhvillimet kryesore të vitit 2025 dhe prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim, duke u ndalur te siguria, ekonomia dhe përballimi i emergjencave.

Rama theksoi se zjarret janë kthyer në një problem global në rritje, ndaj Shqipëria po punon për forcimin e kapaciteteve civile, përfshirë edhe vendosjen e dy avionëve të parë zjarrfikës për Republikën e Shqipërisë. Ai u ndal gjithashtu te sulmet kibernetike, duke deklaruar se vendi përballoi një sulm të fortë pa u dëmtuar infrastruktura digjitale dhe se sot Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë të mbrojtjes kibernetike, sipas vlerësimeve të institucioneve europiane të sigurisë.

Siç e dimë zjarret janë bërë një problem i madh që shkon duke u thelluar për gjithë botën ndërkohë ne po punojmë për të rritur kapacitetet tona civile dhe kemi vendosur 2 avionët e para zjarrfikës për Republikën e Shqipërisë. Patëm një sulm shumë të egër nga bota e terrorit kibernetik që nuk arriti dot të shkatërronte infrastrukturën tonë digjitale dhe sot jemi një ndër vende me mbrojtjen më të lartë kibernetike dhe këtë nuk e them unë por e thonë e të gjitha institucione përkatëse të sigurisë në Europë dhe kemi marrë vlerësime domethënëse për këtë”, tha Rama.

Në aspektin ekonomik, Kryeministri nënvizoi rritje pozitive në sektorin e bujqësisë, ndërsa veçoi turizmin si një nga sektorët me performancën më të mirë. Sipas tij, në vitin 2024 turizmi shënoi një rritje prej 7% të vizitorëve të huaj, ndërsa të ardhurat nga ky sektor, vetëm në 9-mujorin e parë, arritën në 4.4 miliardë euro. Rama shtoi se puna për sezonin e ardhshëm turistik ka nisur, me risi të reja që synojnë zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori.

Nga pikëpamja e fakteve një rritje pozitive tek bujqësia dhe me radhë por tek turizmi kemi një hop domethënëse ku në 2024 kemi një rritje prej 7%dhe është një rritje domethënëse për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj dhe të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse dhe në 9 mujorin e parë ato vlerësohen me 4.4  miliardë në euro. Tani që flasim kemi vazhduar punën për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim”, theksoi ai.