Rama viziton gjigantin gjerman SchwarzGroup: Interes për investime në Shqipëri

Rama vizit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në selinë e SchwarzGroup, sipërmarrja më e madhe gjermane, ku u diskutua për mundësinë e investimeve në disa fusha në Shqipëri.

Ai u shoqërua nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi vizitën si një “ditë mbresëlënëse”, ndërsa publikoi foto nga brenda kompanisë gjermane që numëron 600 mijë punonjës në gjithë botën.

“Na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi, si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipëri, e cila sipas mikpritësve tanë po kthehet në një kyç rajonal”, theksoi Rama.

Vizita ndodhi në kuadër të ftesës zyrtare të bërë nga qeveria e Bavarisë, ku Kryeministri mbajti fjalën e hapjes në ceremoninë e Festivalit Ndërkombëtar Herrenkizme “Herrenchiemsee Festspiele”, një festival ku çdo vit trajtohet tema e Europës.