Rama uron Kurtin për Pavarësinë e Kosovës: Një rrugëtim sfidues e i suksesshëm

Rama uron Kurtin

Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh urimi për homologun e tij në Kosovë, Albin Kurti, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në një letër të dërguar më 13 shkurt, Rama vlerëson arritjet e Kosovës në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, pavarësisht sfidave të shumta që ka kaluar vendi.

Në letrën e tij, Rama thekson se mbështetja e pakursyer nga aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ka qenë vendimtare për sukseset e Kosovës.

“Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”, thuhet ndër të tjera në letër e urimit të kryeministrit Rama.

Rama shpreh vullnetin e Shqipërisë për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke pasur parasysh rëndësinë e integrimit të plotë të Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, ku Deklarata e Pavarësisë u miratua unanimisht nga 107 deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit, ndërsa procedura e votimit u bojkotua nga 11 deputetët përfaqësues të pakicës serbe. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende.

Letra e plotë

Tiranë, më 13 shkurt 2025

Shkëlqesia Juaj,

I dashur Albin

Përvjetori i 17-të i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më ofron rastin e duhur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë historike për kombin tonë. Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës. Një histori progresi të gjithanshëm demokratik dhe prosperiteti.

Përulemi sot përpara themeluesve të Republikës, duke shprehur pafundësisht mirënjohjen tonë. Një rrugëtim sfidues dhe i suksesshëm deri më 17 shkurt të vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe një rrugëtim po kaq sfidues e i suksesshëm, deri më sot, për forcimin e saj.

Edhe një herë, duke riafirmuar gjithë vullnetin tonë për bashkëpunim të gjithanshëm, unë, Ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, dhe nëpërmjet Jush, gëzuar të gjithë motrave e vëllezërve Kosovës.

Vëllazërisht, Edi Rama

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.