Rama takim me fermerët: Na duhet një sipërmarrje rurale e fuqishme. 250 mln euro linjë kredie për projektet në fshat

Rama takim me fermerë

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot (2 korrik) një takim për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ku të pranishëm ishin fermerë, sipërmarrës dhe krerët e bashkive. Rama tha se ambicia e qeverisë është të ndërtojë një sipërmarrje të fuqishme rurale, por theksoi se nevojitet më shumë punë në këtë drejtim.

Kreu i qeverisë tha se në dispozicion të fermerëve është vendosur edhe një linjë e re kredie nga Banka e Shqipërisë prej 250 mln euro. Ai përmendi edhe garancinë sovrane dhe Paketën e Maleve, por duke theksuar se ato mund të mos sjellin asnjë ndryshim nëse nuk rritet bashkëpunimi mes fermerëve e sipërmarrësve me pushtetin lokal.

“Kemi vendosur në dispozicion të fermerëve një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 milionë euro për t’iu përgjigjur ambicieve dhe për t’i dhënë mbështetje projekteve në fshat. Kjo, e kombinuar me garancinë sovrane, nuk kanë sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës nëse ne nuk ndryshojmë qasjen. Për të ndryshuar këtë qasje na duhet një bashkëpunim më i afërt me protagonistët që janë në fushën e përpjekjes së përditshme në fshat dhe na duhet një plan për të ndërtuar modelet e duhura. Shpresoj të çelim një kapitull të ri bashkëpunimi me territoret në të cilat zhvillohet jeta e përditshme e fshatit. Është edhe Paketa e Maleve, një instrument i ri i vënë në dispozicion të zhvillimit rural, që përsëri rrezikon të mbetet e pashfrytëzuar nëse ne nuk ndërtojmë mekanizmat e duhur. Kemi potenciale të jashtëzakonshme, ende të pashfrytëzuara”, tha Rama.

Ai pati edhe kritika për kryebashkiakët, për të cilët tha se nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur fshatit.

Kemi ftuar edhe drejtues të pushtetit vendor, duke pasur parasysh që edhe kjo është një hallkë e dobët e jona në qeverisjen e fshatit pasi qyshes është bërë reforma, bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale dhe në vend që kjo të sillte një rritje të vëmendjen dhe mundësive për fermerët dhe sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje. Në një masë të madhe kryetarët e bashkive e shikojnë fshatin si çështje të infrastrukturës rrugore, pastrimit, ndriçimit, por jo si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit. Jemi në një pikë ku duhet patjetër të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, sepse ende sot nuk kemi asnjë ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe bashkëpunimin e fermerëve, sipërmarrësve dhe strukturave të pushtetit vendor”, theksoi ai.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, si dhe drejtues të pushtetit vendor të disa qarqeve. Në fjalën e saj, ministrja Denaj u ndal në arritjet e këtij sektori gjatë dekadës së fundit.

Kemi arritur shumë bashkë, trefishim të sipërfaqes së kultivuar në serra, pesëfishim të eksporteve bujqësore në mbi 80 tregje ndërkombëtare, rritje të mbështetjes financiare për sektorin, si dhe investime në infrastrukturë, teknologji dhe siguri ushqimore”, tha Denaj.