Rama takim me biznesin, “zbërthen” paqen fiskale: Mundësi për sipërmarrjet që nuk janë në konflikt me ligjin, energjizim dhe formalizim

rama biznes

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se paqja fiskale është një instrument për t’i dhënë mundësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara, me incentivën që për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%.

Në një dialog të hapur me komunitetin e biznesit Rama tha se me Paketën Fiskale 2026 nuk rrisim taksat, por synojmë të garantojmë një kuadër më të drejtë fiskal dhe të përgatisim sipërmarrjen për procesin e integrimit europian, njëkohësisht “mbajmë premtimin për zero taksa për biznesin e vogël deri në vitin 2029”.

“Paqja fiskale është një zotim i yni i fushatës elektorale dhe sot është ligj. Ne sot jemi në kushtet kur duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm mund ta zbatojmë këtë nismë. Është një nismë për të ndërtuar një urë të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Së dyti, është një instrument për t’i dhënë mundësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin, në procese hetimore apo gjyqësore dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributorë legjitimë që të rishikojnë pasqyrat e tyre fiskale të viteve të shkuara. Ky rishikim i jep mundësi sipërmarrjeve të korrigjohen, të vetëkorrigjohen, duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara dhe duke pasur si motivim, si incentivë një tatim shumë më të ulët mbi fitimin se sa tatimi që paguani rregullisht. Pra për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5%”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se kjo rrit formalizimin, nuk cenon integritetin ligjor të të gjithë këtij ndërveprimi dhe ndihmon sigurisht një proces ku sipërmarrja fokusohet më shumë te puna dhe te sfidat e veta pa pasur barrën e të metave të së shkuarës.

“Shkon në paralel me një adresim të përgjithshëm të gjobave, të cilat sipas periudhave dhe sipas vjetërsisë së tyre shkojnë nga fshirja totale, te pagimi përmes disa kësteve prapë me lehtësira. Ashtu sikundër, sigurisht paqja fiskale në themel ka marrëveshjen me sipërmarrjen mbi përcaktimin e tavanit të ri të fitimit. Që do të thotë bazuar në një projeksion shkencor të fitimit mbi fitimin e viteve të shkuara, plus mbi rritjen ekonomike të pritshme dhe mbi propozimin për të pranuar si fitim të vitit një shifër X, administrata dhe sipërmarrja bien dakord dhe nuk ka më asnjë lloj inspektimi, asnjë lloj kontrolli, asnjë lloj problematike”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë deklaroi më tej se kjo është në thelb korniza e paqes fiskale nga ku presim një energjizim të mëtejshëm të sipërmarrjes, një formalizim të mëtejshëm të ekonomisë dhe një lehtësim të mëtejshëm të proceseve të punës për sipërmarrjen. “Duke u çliruar nga barra e këtyre të metave të së djeshmes dhe duke i mirëkuptuar me të ardhmen do të ketë shumë më tepër energji për t’u marrë me punën e vetë dhe për të mos u konsumuar me procedura burokratike, me inspektime e kontrolle që kanë ngarkesën e tyre, jo të vogël dhe shpeshherë të rëndësishme për sipërmarrjen”, tha Rama.