Rama pritet nga Papa Leoni XIV, në fokus situata rajonale dhe integrimi i Shqipërisë në BE

Rama pritet nga Papa Leoni XIV

Kryeministri Edi Rama është pritur nga Papa Leoni XIV gjatë vizitës së tij zyrtare në Vatikan. Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik dhe u pasua nga një bisedë në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë, ku ishin të pranishëm kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit, dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Në qendër të diskutimeve ishin çështje rajonale, përfshirë situatën në Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

“Në bisedimet e përzemërta u vu në dukje marrëdhënia e mirë ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë dhe u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile. Ndër temat në qendër të bisedimeve edhe çështjet kryesore rajonale, “përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

cq5dam.thumbnail.cropped.750.422

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe i biri, Zaho, nisën vizitën zyrtare në Vatikan ditën e djeshme.

Më herët, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur ndryshe si Regina di Albania, ku mbajti një lutje të posaçme kushtuar popullit shqiptar, familjeve dhe brezit të ri.

cq5dam.thumbnail.cropped.750.422 1

/rtsh.al/