Rama: Pas pak ditësh dalin çmimet e reja të referencës, rrisim taksën për shtëpitë e dyta
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se pas pak ditësh ose javësh do të dalin çmimet e reja të referencës të cilave do ju shtohet elementi i ri i rritjes së taksës për shtëpitë e dyta.
Ndryshimet e reja në politikën fiskale që prekin pronën dhe taksat lokale janë njoftuar gjatë takimit që Rama mbajti me kryetarët e bashkive për diskutimin mbi performancën lokale në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030” dhe rrugën e pandalshme drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Rama theksoi se bashkitë e bregdetit do të përfitojnë të ardhura më të mëdha nga ky proces, pasi sipas tij, shumë qytetarë i kanë orientuar investimet e tyre në prona, pikërisht në këto zona.
“Punë ditësh, javësh do dalin çmimet e reja të referencës të cilat do kenë dhe një element tjetër të ri që taksa për shtëpinë e dytë do jetë më e madhe se sa për shtëpinë e parë. Bashkitë e bregdetit do kenë një të ardhur domethënëse të shtuar nga ky proces. Pasi, shumë njerëz në bregdet kanë shtëpitë e dyta”, deklaroi Rama.
Përveç kësaj, ai ka shtuar se në disa bashki janë regjistruar taksa lokale të tepërta që, sipas tij, nuk kanë sens. Kryeministri e bëri të qartë se, ndërsa taksa e biznesit të vogël është ulur në zero, duhet të shqyrtohen disa taksa të tjera lokale, si taksa për tavolinat dhe tabelat, për të siguruar që ato të jenë të arsyeshme dhe të justifikueshme.
Ministria e Financave, sipas Ramës, do të ofrojë një udhërrëfyes për menaxhimin e taksave lokale, i cili do të shërbejë si udhëzim dhe nuk do të jetë një urdhër i detyrueshëm për të gjitha bashkitë, por një mundësi për t’u pasur parasysh në vendimmarrjen e ardhshme.
