Rama: Pas 2 vitesh, Shqipëria mban samitin e NATO-s

Kryeministri Edi Rama se Shqipëria do të mbajë pas dy vitesh Samitin e Aleancës së Atlantikut të Veriut pjesë e së cilës Shqipëria është që prej vitit 2009.
Duke e cilësuar Samitin e Komunitetit Politik Europian që u mbajt në muajin maj të këtij viti në Tiranë, si një sukses, kreu i qeverisë vuri në dukje se tashmë Shqipëria ka filluar punën për të organizuar Samitin e NATO-s.
Sipas kryeministrit Rama, për të organizuar një samit të tillë puna ka nisur tashmë pasi në Shqipëri ka mbërritur grupi i insepktimit të qendrës së NATO-s, “për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës, logjistikës”.
“Samiti i komunitetit politik europian ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm. Kemi filluar punën për samitin e NATO-s. Nis puna 2 vite para dhe pasi ka ardhur grupi i inspektimit nga qendra e NATO-s në Bruksel për të parë të gjitha opsionet dhe për të inventarizuar të gjitha kushtet dhe mundësitë e infrastrukturës, logjistikës, topi është në fushën tonë për të shkuar përsëri në qendër në një masterplan të përgjithshëm të organizimit”, u shpreh Rama në rubrikën e tij ‘Sy m’sy’.
Ndërkaq në datat 24 dhe 25 qershor, Holanda do të presë Samitin e NATO-s, ku do të marrin pjesë dhjetëra udhëheqës botërorë, ministra dhe mijëra delegatë në Forumin Botëror në Hagë.
Samiti vjetor i NATO-s do të zhvillohet për herë të pare në Hagë që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949.
Ky samit do të presë afërsisht 8,500 vizitorë, të përbërë nga afërsisht 45 krerë shtetesh, 45 ministra të jashtëm, 45 ministra mbrojtjeje, 6,000 delegatë, 2,000 gazetarë dhe 800 të ftuar.
Samiti zhvillohet në kontekstin e administratës Trump që distancohet vazhdimisht nga NATO, zhvillimeve të mëdha në luftën në Ukrainë dhe udhëheqësve evropianë të NATO-s që diskutojnë gjithnjë e më shumë domosdoshmërinë për fuqizimin e sistemit të mbrojtjes për të parandaluar rrezikun rus ndaj Evropës.
Deri më tani nuk është publikuar axhenda zyrtare e samitit, pritet të diskutohet edhe tema e financimit dhe statusi i anëtarësimit për shtetet e tij anëtare, përveç rritjes së aftësive mbrojtëse të NATO-s.
Samiti do të mbahet nën masa të shumta sigurie, ku do të angazhohen 27 mijë oficerë policie, si dhe afërsisht gjysma e forcës së Policisë Kombëtare Holandeze të mbështetur nga 5 mijë persona të forcave të armatosura dhe ekipe të forcave speciale në gatishmëri 24-orëshe.
Sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe instalimet kundër dronëve thuhet se do të përdoren për të mbrojtur samitin nga kërcënimet ajrore.
Avionë luftarakë F-35 dhe patrulla Apache do të vendosen gjithashtu mbi qytet dhe përgjatë bregdetit.
Një zone ekskluzive ajrore do të vendoset në një shtrirje bregdetare prej 22 kilometrash midis Hook of Holland dhe Noordwyk.
Siguria do të ketë përparësi në Forumin Botëror (ku do të zhvillohet samiti), Huis ten Bosch (ku do të darkojnë udhëheqësit) dhe Grand Hotel Huis ter Duin (ku ka të ngjarë të qëndrojë Presidenti Donald Trump).