Rama paralajmëron arkitektët: Përgjegjësi ligjore për devijimet nga projektet, listë e zezë për shkelësit

Rama paralajmëron arkitektët

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ligjore për arkitektët dhe ndërtuesit që devijojnë nga projektet e miratuara, duke theksuar domosdoshmërinë për rritjen e besueshmërisë në sektorin e ndërtimit.

Në prezantimin e një start-up-i inovativ shqiptar për financimin e ndërtimit, Rama u ndal te sfidat me të cilat përballet sot ky sektor dhe mungesa e koherencës mes projektit të miratuar dhe asaj që ndërtohet realisht.

Ai njoftoi se do të ndërmerren masa ligjore për arkitektët që devijojnë nga projektet e dorëzuara.

“Ajo që na nevojitet sot është besueshmëria e projekteve. Nga një anë është besueshmëria e arkitektëve dhe nga ana tjetër është projektit për t’u realizuar. Nuk do të ketë më merret leja për një projekt dhe  përfundon me një projekt që as vetë arkitekti nuk e njeh më. Ky është një problem që është sot. Sot jepet leja dhe gjëja shkon në një drejtim të paditur në një pjesë të madhe të projekteve. Është detyra jonë të adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore ku arkitekti do ketë përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit.  

Ndërtimi të mos bazohet te parashitja dhe kleringu, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi. Të krijomë sinergji me kompani të mëdha ndërtimi për të fituar nga krahu i punës dhe kursyer kohë.  Do bëjmë çmos të ndërtojmë një plan masash të reja represive që do të duhet të balancojë pjesën e gjithë mbështetjes dhe kanaleve të reja që do përpiqemi të japim për investitorët dhe industrinë e ndërtimit. Projektet e mëdha nuk mund të mbështeten te shitja në gropë, kleringu apo të blerësit e rastit brenda vendit. Pjesë e paketës do të jetë edhe garancia për lejet, listë e zezë për ata që nuk respektojnë rregullat dhe pamundësinë për të mos marrë më leje dhe shumë gjëra të tëra që bota i ka dhe ka ardhur koha ti kemi edhe ne. Kantieret e ndërtimit do kenë kamera 24 orë, kjo gjë do t’iu vlejë dhe juve në ndjekjen e punës dhe praktikën tuaj. Është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe garantimin e projektit”, tha Rama.

Rama vlerësoi talentin e arkitektëve shqiptarë, por theksoi nevojën për një “shkollë terreni” dhe një kulturë të re pune, në bashkëpunim me kompani të mëdha ndërkombëtare.

“Nuk është çështja thjeshtë e marrjes së një arkitekti por një kulturë krejt tjetër të të parit të gjërave, një kulture pune tjetër, e një shkolle të jashtëzakonshëm për të gjithë arkitektët tanë që duke punuar më ta marrin eksperiencë. Në 5-10 vitet e ardhshme Shqipëria do ketë emra të mëdha në arkitekturën botërore, Shqipëria ka talent por shkolla jonë e arkitekturës nuk është ndër më të mirat në Europë por ajo që mëson në terren nuk e mëson kurrë në bankat e shkollës. Do e bëjmë më intensive pjesëmarrjen tonë në panairet dhe ekspozitat e mëdha të Reale State për të prezantuar projekte, investitorët me palë të tera të interesuar dhe e gjitha kjo kërkon garanci. Garancia është realizmi i projekteve në mënyrë shumë besnike”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu se fondet për investime në ndërtim janë të shumta dhe se interesimi ndërkombëtar, përfshirë SHBA, Britaninë dhe Gjermaninë.