Rama në Shkup, shëtit në Çarshinë e Vjetër i shoqëruar nga Bujar Osmani

Rama në Shkup

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shkup në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor.

Përveç pjesëmarrjes në këtë ngjarje ndërkombëtare, ai ka zhvilluar një vizitë në Çarshinë e Vjetër të qytetit, një hapësirë e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare në zemër të Shkupit.

Gjatë kësaj shëtitjeje, kreu i qeverisë shqiptare u shoqërua nga nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, teksa u takuan me qytetarë të shumtë të kësaj zone historike.

Çarshia e Vjetër, e vendosur në komunën e Çairit, është një zonë kyçe për partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe një tregues i peshës elektorale që ato gëzojnë në skenën vendore.

Ky moment shihet si një sinjal i një bashkëpunimi më të ngushtë ndërshqiptar në rajon. Në sfondin e Samitit për integrimin evropian, vizita në këtë hapësirë identitare merr një dimension të veçantë, duke përçuar mesazhe uniteti dhe fuqizimi të përfaqësimit shqiptar në rajon.