Rama ndan momente nga vizita në Abu Dhabi: Vendosëm piketa të reja bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara

Abu Dhabi

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga vizita e tij në Emiratet e Bashkuara, ku shkruan se mes dy vendeve janë vendosur piketa të reja bashkëpunimi, ndërsa marrëdhënia mes tyre po forcohet gjithnjë e më shumë, sidomos në kuadrin ekonomik.

“Mirëmëngjesi dhe me fotoalbumin e një mikpritjeje të paharrueshme në Emiratet e Bashkuara, ku vendosëm piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Gjatë qëndrimit të tij në Abu Dhabi, Rama mori pjesë edhe në Samitin e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku kryeministri theksoi edhe ambicien e Shqipërisë për të siguruar sovranitetin energjetik deri në fund të 2028 si dhe bashkëpunimin që po kryen me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë për prodhimin e energjisë së pastër dhe më pas furnizimin me të të Evropës.

Gjithashtu Rama u nderua edhe me një nga titujt më prestigjiozë në Emiratet e Bashkuara Arabe, medaljen që mban emrin e themeluesit të shtetit, “Zayed”, akorduar nga vetë Presidenti i Emirateve, Sheiku Mohammed Bin Zayed al Nahyan.