Rama mbledh Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile: Përmbytjet nuk zgjidhen me shpifje apo slogane. Uji ka prekur 1 587 banesa dhe 13 211 hektarë tokë bujqësore
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut në disa zona të vendit.
Rama theksoi se familjet e prekura po përballen me humbje të mëdha materiale, stres dhe pasiguri, ndërsa u bëri thirrje aktorëve politikë të shmangin reagimet që, sipas tij, vetëm sa e rëndojnë situatën.
“Familjet që kanë përjetuar humbje, shtëpi të dëmtuara dhe rrugë të bllokuara përballen me stres dhe frustrim. Por shiu nuk ndalet me shpifje, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta dhe retë nuk shpërndahen me slogane. Këto reagime ushqejnë nervozizëm, çorodi dhe ndarje, jo zgjidhje”, është shprehur Rama.
Ai theksoi se në situata të tilla emergjente nuk duhet të kërkohen fajtorë imagjinarë, por të ndihmohen qytetarët e prekur. Sipas Kryeministrit, përmbytjet janë pasojë e një situate të zgjatur dhe të rëndë atmosferike, e cila nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin dhe pjesë të Evropës.
“Kjo është klima e re në të cilën jetojmë, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Kur vazhdojmë të hedhim mbetje në rrugë apo t’u vëmë zjarrin pyjeve, këto ndryshime vetëm sa rëndohen edhe më shumë”, u shpreh Rama, duke sjellë si shembull zonën e Shkozetit, ku mbetjet dolën nga shtrati i tyre për shkak të reshjeve intensive.
Gjithashtu Rama tha se në rang vendi janë evidentuar 1 587 banesa me prani uji, ndërsa 339 persona janë evakuuar. Gjithashtu, janë përmbytur rreth 13 211 hektarë tokë bujqësore, si dhe disa qendra shëndetësore dhe objekte arsimore.
