Rama mbledh kabinetin qeveritar për prioritetet e 2026. Në fokus situata e përmbytjeve, integrimi dhe analiza e institucioneve
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur prej paradites së sotme, më 9 janar, qeverinë për të përcaktuar prioritetet e vitit 2026. Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe në të marrin pjesë, përveç ministrave, edhe drejtuesit e 12 institucioneve që kanë varësi të drejtpërdrejtë nga qeveria.
Kjo është mbledhja e parë e qeverisë për vitin 2026, e cila ka formën e një retreat-i pune dhe analize. Ky takim zhvillohet dy herë në vit, një herë në fillim dhe një herë në mesin e vitit, me qëllim vlerësimin e ecurisë së projekteve dhe nismave qeveritare, si dhe identifikimin e problematikave që kanë penguar institucionet në përmbushjen e detyrimeve të tyre.
Gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani bën me dije se secili ministër ka një kohë të kufizuar për të raportuar mbi ecurinë e ministrisë që drejton dhe për të paraqitur objektivat për vitin 2026. Në fokus të diskutimeve janë edhe sfidat e fundit me të cilat është përballur qeveria, përfshirë menaxhimin e përmbytjeve, ofrimin e shërbimeve emergjente dhe procesin e dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve është edhe angazhimi i deputetëve në terren, komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe qëndrimi pranë tyre në situata emergjente.
Një tjetër temë e rëndësishme e mbledhjes është procesi i integrimit evropian. Shqipëria gjatë vitit 2025 ka përmbyllur hapjen e të gjithë grupkapitujve, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2026 pritet të nisë procesi i mbylljes së tyre, duke filluar nga kapitujt ku ka linjëzim të plotë me Bashkimin Evropian, si politika e jashtme.
Pas kësaj analize me dyer të mbyllura, më 16 janar Partia Socialiste pritet të zhvillojë një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar, ku do të diskutohen qëndrimet politike, reformat prioritare të qeverisë, reforma zgjedhore dhe territoriale, si dhe me interes pritet nëse do të ketë propozime për ndryshime të mundshme në reformën në drejtësi.
Kryeministri Rama do i kushtojë dhe një vëmendje të veçantë shqetësimit për nepotizmin në administratën publike, ku gazetarja Shkodrani thotë se kryeministri ka ngritur një komision të posaçëm, i cili do të verifikojë institucionet shtetërore për raste të mundshme të këtij fenomeni.
