Rama: Marrëveshja për emigrantët me Italinë nuk do të përsëritet me asnjë shtet tjetër
Kryeministri Edi Rama ka theksuar qartazi se nuk do të ketë një marrëveshje të ngjashme si ajo me Italinë, për emigrantët, me asnjë shtet tjetër. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik, Keir Starmer, Rama tha se një marrëveshje e tillë u lidh me Italinë falë marrëdhënies mes dy vendeve, por se nuk do të përsëritet as me Britaninë dhe as me ndonjë shtet tjetër. Kryeministri pranoi se ka patur kërkesa nga shumë shtete për arritjen e një marrëveshje të tillë.
“Unë e kam thënë që ky është një model që kërkon kohën e vet për t’u testuar dhe është një model që, në rast se funksionon, mund të replikohet, por jo në Shqipëri, por në vendet e tjera të rajonit. Nëse rezultati do jetë pozitiv, nuk ka arsye pse të mos replikohet edhe në vendet e tjera. Kam qenë i qartë që prej ditës së parë kur nisëm procesin me Italinë që kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë, për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë, por edhe falë situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një proces të tillë, por i kemi thënë jo”, theksoi Rama.
Sipas Marrëveshjes me Italinë, shteti fqinj do të dërgojë në Shqipëri emigrantët meshkuj që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, teksa janë ngritur edhe qendrat e pritjes në Shëngjin dhe në Gjadër. Megjithatë zbatimi i kësaj marrëveshje hasi në një sërë pengesash për shkak të vendimeve të gjykatave italiane.
