Rama: Krijojmë Operatorin Kombëtar për Ujin. Shteti, pjesë e sistemit të ri të shpërndarjes së naftës

Rama ka njoftuar nisjen

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një faze të re reformash për shërbimet publike, me fokus të veçantë te furnizimi me ujë, siguria ushqimore, trajtimi i mbetjeve dhe sistemi i naftës, si pjesë e vizionit “Shqipëria 2030” për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në një takim me deputetët e Tiranës dhe drejtorët e Bashkisë, Rama theksoi se problemi i shpërndarjes së ujit nuk mund të mbetet më në nivel lokal. Ai bëri të ditur se do të krijohet një Operator Kombëtar i Shpërndarjes së Ujit, që do të funksionojë me të njëjtën logjikë si Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, me qëllimin për të garantuar menaxhim më efikas të furnizimit me ujë dhe investimeve në këtë shërbim.

“Kemi ngritur grupe pune për të ndihmuar bashkinë me një reformë të brendshme organizative dhe me një reformë tërësore të shërbimeve që lidhet me nevojat e mëdha si pastrimi, furnizimi me ujë, hapësirat publike etj. Dua të vë theksin te çështja e shërbimit me ujë ku përfundimisht jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër dhe duhet të krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit njësoj si ai i shpërndarjes së energjisë elektrike. Na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe një korporatë e re që të adresojë problemin e investimeve dhe marrëdhënieve me donatorët dhe institucionet financiare në Shqipëri që janë “lesh e li” dhe të adresojë problemin e fragmentarizmit të burimeve dhe të menaxhimit që pas 30 e ca vitesh është e kot që të presim të në sjell rezultate të dëshiruara edhe pse ka përmirësim nga bashkimi i operativëve në territore të ndryshme, por janë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim. Qoftë për ujin, qoftë për trajtimin e mbetjeve duhet të kalojmë në një nivel kombëtar dhe duhet të krijojmë sinergji me korporata ndërkombëtare të nivelit më të lartë që do na ndihmojmë që të çojmë në nivel tjetër investimet dhe shënimin e furnizimit me ujë dhe transparencën në të gjitha këto procese ku ka shumë humbje dhe fragmentarizmit. Në sistemin e trajtimit të mbetjeve kemi një hartë  që sot është shumë më ndryshe kur nuk kishte fare, por duhet të bëhet një sistem të trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar”, tha Rama.

Po ashtu, Rama njoftoi se qeveria po punon me Ministrinë e Infrastrukturës për ngritjen e një sistemi të ri kombëtar të furnizimit me naftë, ku shteti do të luajë rol aktiv në realizimin e kontratave dhe kontrollin e tregut.

“Jemi duke punuar me Ministrinë e Infrastrukturës për sistem të ri të furnizimit të naftës që është domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shteti si protagonist në realizmin e kontratave dhe furnizimin me naftë që do sjellë një kontroll shumë më efikas mbi çmimin dhe sistemin e qarkullimit të naftës. Po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për barnat për furnizimin e të gjithë sistemit qoftë atij publik apo privat me barna dhe përsëri me shtetin si palë dhe protagonist”, u shpreh ai.

Këto masa, sipas Ramës, synojnë të rrisin kontrollin dhe transparencën në sektorë kyç për jetën e përditshme të qytetarëve, duke e pozicionuar shtetin si aktor aktiv në ekonomi.

“Ka ardhur koha të kalojmë në një rol të ri të shtetit në ekonomi, duke u bërë pjesë dhe palë dhe kemi ndryshuar edhe qasjen ndaj pronës në tërësi dhe kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona por merr pjesën e vet për llogari të qytetarëve. Edhe te siguria ushqimore duhet të ecim para, pasi është edhe një nga pikat më të dobëta që kemi edhe me negociatat për anëtarësim në BE. Me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së dhe fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve dhe hapjen e mundësisë për të tjerë kemi hedhur vetëm hapin e parë, ndërkohë që sot ka filluar procesi i kontrolleve dhe konfiskimi i qumështit dhe bulmetrave pa faturë, d.m.th. pa siguri ushqimore. Mish dhe bulmet pa faturë nuk lejohet dhe kushdo do e humbasë si mall”, tha Rama.