Rama: Kemi numrin më të lartë të paraburgimeve se sa dënimeve. Jemi vendi i fundit në KiE, lëmë pas vetëm Rusinë
Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për situatën e paraburgimit dhe dënimeve në Shqipëri, duke e renditur vendin në fund të listës në Këshillin e Evropës duke lënë pas vetëm Rusinë.
Rama tha se numri i personave të burgosur pa gjyq është më i lartë se sa numri i personave në burg që janë dënuar për veprën ë tyre.
“Shqipëria është vendi më skandaloz i të gjithë Komunitetit të Këshillit të Evropës, nuk e them unë, e thonë shifrat të cilat kanë alarmuar Komisionin për Parandalimin e Torturës në KiE. Këtu nuk flasim vetëm për SPAK, këtu flasim për të gjithë sistemin e drejtësisë. Jemi në fund të listës me një diferencë nga të tjerët për paraburgimin, burgosjen e njerëzve pa gjyq”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë situatë alarmante dhe të papranueshme. Kryeministri Rama kërkoi që sistemi i drejtësisë të reformohet dhe të bëhet më efikas, duke u përqendruar në trajtimin e drejtë të të akuzuarve dhe shmangien e përdorimit të paraburgimit pa prova të mjaftueshme.
“Numri i njerëzve që gjenden sot në burg pa qenë ende të dënuar ne vendin tonë është më i madh se i atyre që janë në burg të dënuar. Kemi 4492 qytetarë në burgjet shqiptare nga këta vetëm 1895 janë të dënuar. Jemi vendi më skandaloz në KiE për nivelin e dënimeve, kemi vetëm me Rusinë mbrapa por ajo u përjashtua nga KiE. Kjo shifër tregon që në Shqipëri, probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dënuar është më i lartë se probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor”, tha Rama.
